Kreu i PS-së, takime me Kreun e Parlamentit Europian dhe Kryeministrin belg
Edi Rama niset me një mision diplomatik drejt kryeqytetit europian, pikërisht pas zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Lideri i opozitës shqiptare po zhvillon një vizitë zyrtare në Bruksel ku është takuar me Kryetarin e Parlamentit Europian, Martin Schultz, dhe Kryeministrin e Belgjikës, Elio Di Rupo, ndërkohë që pritet të zhvillojë edhe takime të tjera. Burime pranë selisë rozë bëjnë të ditur se integrimi europian i Shqipërisë është thelbi i misionit të Ramës, por ai do të bisedojë edhe për çështjet e mbetura pezull si reforma zgjedhore dhe imunitetet. Partia Socialiste nuk ka dhënë njoftim zyrtar në lidhje me takimet e kreut të saj në kryeqytetin europian, pasi gjithçka pritet të bëhet e ditur gjatë ditës së sotme. Por siç mësohet qëllimi ka qenë për të informuar krerët e lartë të Brukselit mbi qëndrimet e opozitës gjatë zgjedhjes së Presidentit, por edhe për të kërkuar një presion ndaj Tiranës në momentin kur mazhoranca ka përqendruar në duart e saj të gjithë pushtetet. Mësohet se Rama ka bërë të ditur se mazhoranca e ka keqpërdorur vullnetin e opozitës për bashkëpunim, duke shfaqur edhe rrezikun e manipulimit të zgjedhjeve të ardhshme.
Kukan
Një nga eurodeputetët e rëndësishëm në lidhje me Shqipërinë, pikërisht kryetari i delegacionit për Ballkanin, Eduard Kukan, deklaroi dje se politika në Tiranë nuk shfaqi përgjegjësi në zgjedhjen e Presidentit. Kukan theksoi se ka pritur një dialog më intensiv para zgjedhjes së Presidentit, me më shumë konsultime, më shumë shkëmbim informacioni, më shumë dialog politik ndërmjet qeverisë dhe opozitës. Megjithatë, përfaqësuesi i Parlamentit Europian thekson se kjo nuk e bën procesin antikushtetues.
“Unë nuk po e kritikoj zotin Berisha apo shumicën qeveritare. Unë po kritikoj të gjitha forcat politike. Të gjithë drejtuesit e tyre duhej të kishin treguar më shumë përgjegjshmëri. Pra, vërejtja ime kritike, është se ato po presin prej një kohe të gjatë që vendi të marrë statusin e kandidatit të BE-së, duhet të tregojnë më shumë përgjegjësi, duhet të tregojnë më shumë maturi politike”, tha Eduard Kukan, kryetar i delegacionit të PE për Europën Juglindore. Madje, Eduard Kukan tregohet mjaft i drejtpërdrejtë me kryetarin e opozitës, kur e quan të padrejtë faktin që Edi Rama nuk i kontribuoi garës presidenciale edhe pse Kushtetuta ia mundësonte këtë. “Unë e kam lexuar dy herë Kushtetutën e Shqipërisë. Unë e njoh atë dhe ajo nuk kërkon medoemos një President konsensual. Por ajo saktëson se një grup prej më shumë se 20 deputetësh mund të propozojnë një kandidat. Zoti Rama ka më shumë se kaq deputetë, por ai nuk propozoi askënd. Kjo nuk ishte e drejtë. Nëse ai donte të kontribuonte për këtë dialog, ai duhej të propozonte një kandidat që, sipas tij, mund të pranohej nga Partia Demokratike”, tha Kukan.
Eurodeputeti sllovak, i cili për shkak të pozicionit në Parlamentin Europian, ka qenë shpeshherë dëshmitar i konflikteve politike të Tiranës, ka shprehur vlerësimin e tij për Presidentin e ri të Shqipërisë. Eurodeputeti Kukan thotë se e ka takuar dhe e njeh përvojën e Bujar Nishanit si politikan.
Mesazhi