Mijëra emigrantë shqiptarë i janë bashkuar liderit të opozitës Edi Rama në Athinë, në një takim të organizuar në kryeqytetin grek. Kryesocialisti u ka bërë thirrje emigrantëve të bëhen pjesë e ndryshimit të madh në 2013.


“Shqipëria ju ka të gjithëve ju një borxh shumë të madh. Pa punën dhe pa ndihmën tuaj Shqipëria nuk do ta kishte përballuar dot varfërinë, papunësinë dhe sidomos krizën e tmerrshme ekonomike të shkaktuar nga keqqeverisja. Ndihma juaj ka qenë e domosdoshme për qindra, mijëra familje që falë jush kanë mundur t’i mbijetojnë problemeve të panumërta që kanë në Shqipëri. Unë besoj se ashtu siç morët rrugën pa asgjë në xhep vetëm me forcën e një ëndrre shumë të madhe dhe e një vullneti të jashtëzakonshëm për t’u ndarë nga bataku i varfërisë dhe i mungesës së shpresës dhe për të ndërtuar një jetë më të mirë për familjen tuaj, është dita që të merrni edhe njëherë rrugën për të ardhur në Shqipëri, për të votuar me forcën e një ëndrre shumë të madhe që Shqipëria të rilindë.


Shumë kush ndër ju gjithçka kishte e bëri një biletë dhe morri rrugën siç shumë mund ta dëshmojnë stacion pas stacioni, vështirësi pas vështirësie për të arritur deri në Athinë, ku pjesa më e madhe nuk kishin as strehë kur erdhën. E pra ja ku jemi sot, kështu që unë nuk besoj, madje jam i bindur, që bileta për të ardhur dhe për të investuar për një ëndërr të madhe të një Shqipërie të rilindur mund të jetë pengesë për kudoqoftë. Përkundrazi është gjëja më e vogël që secili nga ju do të dëshirojë të bëjë dhe do ta bëjë për ta rilindur sëbashku Shqipërinë.


Ne duam të ndryshojë marrëdhënia mes shtetit shqiptar dhe çdo shqiptari në emigracion. Ne duam që shteti shqiptar të mos i zvarrisë emigrantët në radhët e stërgjata dhe të mbushura me korrupsion të konsullatave dhe të ambasadave. Ne duam që shteti shqiptar të investohet për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e çdo emigranti në Greqi, në Itali e kudoqoftë. Dhe madje edhe për të siguruar që edhe kontributet e tyre të mos shkojnë dëm, por përkundrazi kur ata të jenë në moshën e pensionit të marrin diçka nga ky stërmundim i jashtëzakonshëm”, ka thënë Rama.


Kreu i opozitës ka premtuar se qeverisja socialiste do t’u japi mundësi të rejave dhe të rinjve që kanë studiuar jashtë të vijnë në Shqipëri, të kontribuojnë për për shoqërinë shqiptare. “Kam shumë shpresë, kam shumë besim se ju, bashkë me plot të tjerë do vini që sëbashku ne ta bëjmë realitet për tërë Shqipërinë, për familjen tonë, atë që bëtë ju për veten dhe për familjet tuaja”, është shprehur Rama ndër të tjera. Kreu i PS ishte i shoqëruar në këtë takim nga krerët e bashkive Tepelenë, Lushnje, Ballsh, Pogradec e Sarandë, si dhe deputeti Taulant Balla e Sekretari për Rininë në PS, Erion Veliaj.


25 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)