RAMA--04_15“Këndi Fjalës”, ku kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama u përgjigjet pyetjeve të qytetarëve, është zhvendosur pasditen e sotme në Durrës. Në nisje të fjalës së tij, Rama ritheksoi zotimin e opozitës për të legalizuar të gjitha ndërtimet pa leje, jo vetëm në këtë rreth, por në gjithë Shqipërinë. Kreu i opozitës tha se atij që punon tokën do t’i jepet certifikata e pronësisë, ndërsa ai që ka ngritur një shtëpi do të pajiset me titullin e pronësisë së saj.


“Zotimi ynë është t’i japim fund pas 20 viteve procesit të legalizimit dhe për këtë arsye jam këtu për këtë bashkëbisedim. Kreu i Bashkisë së Durrësit është i angazhuar për legalizimet në qytet. Ne jemi të bindur se pa zgjidhur problemin e pronës nuk ka zhvillim. Janë tre elementë, i pari kthimi dhe kompensimi i pronave, i dyti certifikata e tokës për ata që punojnë tokën dhe e treta është problemi i dhjetëra-mijëra familjeve që për të ndërtuar një jetë më të mirë kanë ndërtuar duke u spostuar nga zona të varfra drejt qyteteve, sidomos Tiranës dhe Durrësit dhe prej 20 vitesh jeni zvarritur nga politika dhe Saliu që sa herë afrohet fushata kujtohet për ju”, tha Rama.  Kreu i PS-së shtoi se në gjithë këto vite janë legalizuar vetëm 8 për qind e ndërtesave. Rama tha se ky problem social do të jetë parësor për Partinë Socialiste në pushtet. Rama ftoi qytetarët të votojnë PS-në më 23 qershor për t’i hapur rrugë legalizimit të shtëpive të tyre.


“Saliu në gjithë këto vite ka bërë vetëm 8 për qind të gjithë legalizimit, që do të thotë se me këtë ritëm duhet të prisni 165 vjet që të mbarojë i gjithë procesi. Për ne kjo është një çështje e madhe sociale, është çështje e madhe e këtij vendi në rrugën drejt zhvillimit. Pas 23 qershorit do nisim menjëherë procesin e legalizimit dhe ata që kanë ndërtuar një ndërtesë për shtëpi, do marrin titullin e pronësisë. Edhe për sa kohë do hani rrenat e Saliut për legalizimet? Si ka mundësi që nuk bëri asgjë në këto 8 vite? E gjeti me 250 mijë ndërtime pa leje dhe po e lë me 400 mijë ndërtime pa leje. Kush e do shtëpinë e vet, le të votojë me një kryq më 23 qershor Partinë Socialiste”, tha Rama.


Kreu i opozitës foli edhe për sistemin shëndetësor, duke ritheksuar edhe njëherë se sistemi i sigurimeve ka dështuar. Ai tha se do reformohet shëndetësia dhe shërbimi për të gjithë qytetarët do të jetë falas.


Duke u ndalur tek arsimi, Rama tha se do të reformohet procesi i rekrutimit të mësuesve për të hequr emërimet partiake. Kreu i PS-së theksoi se në emërimin e mësuesve një rol të madh do të luajë komuniteti i prindërve, që do të propozojë emrat dhe më pas do të japë edhe pëlqimin për ta.


24 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)