Takimi


Forumi i Davosit, Kryeministri drejton panelin e “Suksesit të një ekonomie të re” 


Sesioni


Drejtimi – Rama pritet të drejtojë të mërkurën sesionin interaktiv “Suksesi i një ekonomie të re krijuese” në Forumin Ekonomik Botëror që mbahet në Tianjin të Kinës Lindore. Në këtë forum do të jenë 1900 pjesëmarrës nga 90 vende të ndryshme të botës


ARTEMISA HOXHA


rama kineKryeministri Edi Rama ka mbërritur dje në Kinë, ku pritet të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, vizitë që kreu i qeverisë e kishte lajmëruar disa ditë më parë. Gjatë një postimi në rrjetin social “Twitter”, Rama e ka cilësuar këtë forum një sukses për një ekonomi krijuese, teksa ka bërë të ditur se sot do të takojë edhe homologun e tij kinez. Kjo vizitë me kreun e qeverisë së Kinës do të ketë si qëllim edhe diskutimin mes tyre për projekte të rëndësishme bashkëpunimi në fusha të ndryshme mes dy vendeve, për të cilat kreu i ekzekutivit ka bërë të ditur se janë hapur kanalet e komunikimit, siç është ajo për shtimin e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve e në veçanti për interesin e shprehur nga kompanitë kineze për të investuar në Shqipëri, kryesisht në sektorin e minierave dhe atë energjetik. Kreu i qeverisë, i shoqëruar edhe nga ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, dhe ai i Energjetikës, Damian Gjiknuri, u pritën në Aeroportin Ndërkombëtar të Pekinit nga Chen Guo You, zv-drejtor i Europës në Ministrinë e Jashtme. “Pekin për Forumin Ekonomik Botëror të Davosit. Nesër (sot) paneli për ‘Suksesin e një ekonomie të re krijuese’ dhe takimi me Kryeministrin e Kinës”, citohet në mesazhin e Kryeministrit Rama. Më tej Rama ka postuar një foto të stacionit të trenave, Tianjin, ku do të mbahen punimet e Forumit Ekonomik Botëror. “Stacioni i ri i trenave të shpejtë të gjeneratës së fundit – Tianjin, ku mbahen punimet e Forumit Ekonomik Botëror”, ka theksuar Rama në FB. Shefi i qeverisë shqiptare pritet të drejtojë të mërkurën, sesionin interaktiv “Suksesi i një ekonomie të re krijuese” në Forumin Ekonomik Botëror që mbahet në Tianjin të Kinës Lindore. Ndërkohë që gjatë ditës së tretë të vizitës në Kinë, Kryeministri Rama pritet të mbajë një leksion për studentët dhe akademikët e Universitetit të Financës dhe Ekonomisë të Tianjin-it. Më parë, Kryeministri Rama është takuar me Kryeministrin e Republikës Popullore të Kinës, zotin Li Keqiang, në kuadër të takimit me krerët e qeverive të Europës Qendrore e Juglindore dhe Kryeministrit të Republikës Popullore të Kinës më 26 nëntor të 2013-s, në Bukuresht. Mediat televizive të Kinës, ndërkohë, kanë raportuar lajmet se Porti i Shëngjinit mund t’u jepet me koncesion firmave kineze. Parashikohet që për 25 vite, ky port i rëndësishëm për Shqipërinë dhe Kosovën, të jetë në zotërimin e firmave kineze. RTK, raporton se Kryeministri Edi Rama pritet të nënshkruajë me përfaqësuesit e qeverisë kineze marrëveshje bashkëpunimi dhe në fusha të tjera, si në energji, transport apo dhe infrastrukturë. Porti i Shëngjinit, gjatë qeverisjes së Berishës, i ishte premtuar Kosovës, por një gjë e tillë nuk u realizua.


 


 


Fronti i Majtë


“Rritja e çmimit të energjisë, tradhti ndaj elektoratit”


Aleatët e majtë të qeverisë “Rama” kërkojnë që qeveria të mos e rrisë çmimin e energjisë elektrike. Kreu i Frontit të Majtë të Partisë Komuniste, Marko Dajti, në një deklaratë për mediat, shprehet “absolutisht kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët shqiptarë, në çfarëdolloj forme që ai të propozohet. Një vendim të tillë e konsiderojmë jo vetëm si një shprehje të qartë të paaftësisë për të qeverisur, jo vetëm si një goditje të rëndë financiare për shqiptarët, por edhe si një tradhti ndaj elektoratit dhe idealeve të majta”. “Fronti i Majtë, i shqetësuar për pasojat e rënda që pritet të sjellin për shqiptarët këto veprime të papërgjegjshme, në cilësinë e forcës politike pjesëmarrëse në koalicionin qeveritar, i bën thirrje qeverisë të heqë dorë nga aventura të tilla. Nëse qeveria nuk e menaxhon dot këtë sektor, Fronti i Majtë deklaron se i ka të gjitha kapacitetet ta marrë përsipër një barrë të tillë dhe ta drejtojë këtë institucion në atë mënyrë që të evitojë krizën financiare pa rënduar xhepat e shqiptarëve. Ne garantojmë se brenda një viti, CEZ Shpërndarje nuk do të jetë një institucion me humbje, por edhe shqiptarët do të kenë një nivel shumë më të lartë ndërgjegjësimi për faturat që duhen paguar. Nuk do të ndodhë më që konsumatorët e ndershëm të paguajnë edhe faturat e hajdutëve”, thuhet në deklaratën për shtyp.


 


 


Opozita


PD: Kriza ka filluar, u mbyllën 1113 biznese


 


Partia Demokratike, nëpërmjet një deklarate për shtyp, shprehet e shqetësuar për situatën ekonomike në vend. “Treguesit ekonomikë në vend po përkeqësohen dita-ditës dhe kriza ka filluar të flasë me shifra tronditëse. Vetëm në dy muajt e fundit, janë 1113 biznese, kompani, që u janë shtuar listës së debitorëve të zyrës së tatim-taksave. Ky është një alarm për situatën e vështirë në të cilën gjendet sipërmarrja në vend, për shkak të rritjes së barrës fiskale nga qeveria, dhe për shkak të mungesës së investimeve, e rënies ekonomike në përgjithësi. Është shumë e thjeshtë, bizneset nuk kanë punë, dhe nuk paguajnë dot taksat, tashmë 50 për qind më të larta se më parë. Në këto kushte, do të thotë mijëra vende pune të humbura. Ky është realiteti”, deklaroi Dorian Teliti, ekspert i ekonomisë pranë selisë blu. Për PD-në, kjo është situata dhe se gjithçka tjetër është propagandë dhe mashtrim qeveritar. “Sukseset imagjinare në kokat e qeveritarëve dhe në fushatat publicistike, nuk ndihmojnë askënd. Taksat e larta, arbitrariteti qeveritar dhe zero investime publike, janë kushtet e sipërmarrjes sot që po shkon drejt falimentimit”, theksoi Teliti.