Partia Socialiste ka organizuar në qytetin e Lezhës Forumin: “Në Europë përmes zgjedhjeve të lira” për të diskutuar mbi problematikat e zgjedhjeve të kaluara, ndërhyrjet e paligjshme të qeverisë për t’i manipuluar këto zgjedhje duke shkatërruar kështu standardet e tyre, si dhe perspektivën për të garantuar zgjedhje të drejta, të lira e të ndershme në këtë vend.


Edi Rama e quajti çështjen e zgjedhjeve si tema e temave për PS, me qëllimin final lirinë dhe fitimin e tyre duke garantuar shqiptarët se Sali Berisha dhe njerëzit e tij nuk do të mund të prekë kutitë e votimit. “Ka shumë njerëz që na drejtohen ne, më drejtohen mua personalisht dhe thonë si do ta mbrosh votën ti. Në fakt kjo tregon se shumë njerëz nuk arrijnë të kuptojnë që kjo nuk është beteja mes dy skuadrash që luajnë futboll, si do ta bëjnë golin ata si do ta mbrojmë portën ne. Kjo është beteja e secilit, sepse kur një parti vjedh zgjedhjet dhe merr pushtetin me vota të vjedhura nuk të llogarit më. Ajo që e bën qeverinë në një sistem demokratik ta llogarisë qytetarin, është fakti se qytetari e ka qeverinë në dorë”, ka thënë Rama.


Kryesocialisti është ndalur më tej në pasojat tejet negative që kanë për vendin manipulimi dhe vjedhja e zgjedhjeve, që sipas tij është kryesor burimi i degradimit të qeverisjes dhe baza e degjenerimit të shtetit. “I gjithë ky degjenerim dhe ajo që ndodhi, që Shqipëria u katandis jashtë Europës, sepse parametrat e korrupsionit të Shqipërisë tanimë, sipas Transparencës Ndërkombëtare, janë të barabarta me parametrat e korrupsionit me Nigerinë dhe Etiopinë, simbole botërore të korrupsionit, lidhet drejtpërdrejtë me faktin që këtu vidhen zgjedhjet. Lidhet drejtpërdrejtë me faktin që të zgjedhurit për të qeverisur nuk e ndjejnë veten të varur nga populli”, ka thënë kreu i PS-së, i cili ka theksuar se ndryshimi i vitit të ardhshëm është i gjithi në dorën e qytetarëve.


6 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)