RAMA-RASHBULL-24_13Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka zhvilluar sot takime me banorët e Paskuqanit dhe Kamzës, të cilët siç tha ai jetojnë në zonën më të izoluar të kryeqytetit, të harruar nga shteti. Shefi i opozitës ka premtuar legalizimin e banesave të tyre dhe u kërkoi të mos votonin për tifozllik, por për të ardhmen e tyre.


“Më 23 qershor të mos i japin më oksigjen me votën e tyre këtij pushteti familjar që nuk përfaqëson interesat e të papunëve, të sëmurëve, infermierëve, mësuesve por të një grushti njerëzish që e mbajnë Shqipërinë peng prej 4 vitesh me vota të vjedhura. Ai duhet të jepte përgjigje për të ardhurit, sidomos ata nga veriu që e kanë besuar për 20 vjet. Nuk e di pse vazhdojnë ta besojnë. Ç’lidhje ka origjina juaj me votën, ai ju lë nga fryn veriu për të mos u ngrohur dot kurrë. Ju erdhët këtu siç zbritën katragjyshërit e mij nga Mirdita, shkuan në Himarë, c’clidhje ka origjina. Nuk mund të vazhdojë kështu, të jepni vota qorre e tifozlliku. Po të shkojë ai në greminë shkoj dhe unë, kjo primitivizëm”, tha Rama në Paskuqan.


Ai ka ironizuar premtimet e kryeministrit Berisha për legalizimit.


“Duhet të vlerësosh alternativat që ke, të takon të vlerësosh, por qeverinë gjykoje nga veprat, opozitën nga fjalët, sepse duhet ta vesh në provë që të japë fakte, ta shoh 4 vite, po e bëri të vazhdojë, po se bëri të ikë. Ndaj nuk ua legalizon shtëpitë ai ju, se mendon që ju ka në xhep. Para fushatës ju vijnë në shtëpi ca dallkaukë me metër në dorë. Kishin 8 vjet kohë për të legalizuar, pse nuk i bënë? Kanë legalizuar vetëm 8%. Ju duhet ta prisni 165 vjet Saliun për të legalizuar banesat tuaja meqë jeni nga veriu. Votoni për atë që do arrini”, shtoi ai.


Sipas Ramës me procesin e legalizimeve zgjidhet edhe problemi i pronave. “Pronarët janë sot me sy nga qielli, japin votën njësoj si ju, ndërkohë që pronarët dalin ministrat. Kanë jetuar në Alpe por pronat i kanë në det, pronarët jo, fshatarët s’kanë certifikata, ju keni shtëpinë po s’keni legalizim.


Shtëpitë tuaja nuk i prish dot as Enver Hoxha po të ngjallet, por problemi është se me anë të atij dokumenti t’i zotëron një pronë dhe me atë shkon në bankë e merr kredi për të investuar për jetën tënde”, shkoi Rama më tej.


Pas takimit me banorët e Paskuqanit, kreu i PS-së Rama e ka zhvendosur këndin e tij të fjalës në bashkinë e Kamzës. Kreu i opozitës është shprehur i bindur se Aleanca për Shqipërinë Europianë do fitojë këtë herë edhe në këtë bashki, pasi banorët e Kamzës nuk duhet t’ja japin më votën PD që ajo t’i varfërojë me shumë.


“Dikur në Kamëz ishte vetëm flamuri i PD, pastaj në zgjedhjet e kaluara ishin të dy dhe PS dhe PD, ndërsa tani është edhe i LSI prandaj do humbë PD e do fitojë aleanca jonë. Jo vetëm për këtë arsye por se ka rritje të vetëdijshme të të ardhurve për faktin që sot pas 20 vitesh mbeten me strehë, por pa shtëpi. Kanë ndërtuar shtëpinë e tyre me sakrifica të mëdha por pronën e patundshme me dokumente nuk e kanë. Kjo ka ndodhur sepse Saliu mendon që ata nga veriu i ka në xhep, kështu i duhen të palegalizuar, të varfër, të lidhur qorrazi me pushtetin e tij. Njerëzit manipulohen më lehtë kur janë të varfër e të papunë, manipulohen me një thes mielli. Por tani më ky komunitet duhet të zgjedhë rrugën e Rilindjes”, vijoi Rama.


Edhe në Kamëz Rama premtoi se do të drejtojë vetë procesin e legalizimit të banesave, ndërsa i ftoi banorët të mos bëhen më pre e gënjeshtrave të kryeministrit.


“Pse Shqipëria duhet të mbajë në kurriz një kryeministër që tregon përralla për një realitet që e kanë para syve, përralla për mësuesit e nxënësit e lirë, për shëndetësinë nga më e mira, për Shqipërinë që sa po kap Gjermaninë, Franca, Italia janë mbrapa shumë, edhe Kina po shqetësohet që jemi rrotë më rrotë. Ata që kanë ardhur nga veriu në Kamëz e Paskuqan kanë hongër rrena më shumë se gjithë të tjerët dhe kanë përgjegjësi historike që më 23 qershor të votojnë si qytetarë të lirë, si njerëz që duhet të shohin interesin e tyre e të familjes së tyre. Kush do legalizimin e shtëpisë, 5 sekonda punë është një kryq aty tek PS, tek numri 29 që të na provoni, do ta drejtoj vetë këtë proces. Ju do merrni pronësinë”, tha Rama.


Rama ka ironizuar edhe kreun e basgkisë së Kamzës, Xhelal Mziu të cilin e ka cilësuar “analfabet funksional”. “Do ta heqim nga puna përë dy vjet këtë Saliun e Kamzës”, tha Rama.


25 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)