Intervista


Kryeministri: Jemi pjesë e Europës dhe duam të bëhemi anëtarë të BE-së


Rama & SequiKryeministri Edi Rama, në një intervistë për televizionin italian Rai 3 i ka konsideruar shqiptarët dhe italianët shumë të afërt, duke përdorur dhe batutën “Italia është Shqipëria e veshur me Versace“. Në intervistën e tij për emisionin Est Ovest, në kanalin televiziv italian, në kuadër të një dokumentari për Shqipërinë që pret marrjen e statusit kandidat, Rama nuk harron të shprehë mirënjohjen e shqiptarëve ndaj ndihmës që Italia i ka dhënë në vite vendit tonë. Ai e konsideron vendin fqinj si një partner kryesor ekonomik dhe kulturor për Shqipërinë e përtej detit. “Italia është Shqipëria e veshur me Versace. Ndaj dhe ne jemi shumë të ngjashëm, Shqipëria është Italia e gjyshërve tuaj. Italia, përmes qeverive të saj, ka bërë për Shqipërinë detyrën e një fqinji, me të cilin ndan të njëjtin oborr. Për këtë i jemi mirënjohës Italisë”, tha Rama në intervistën e tij. Si një garant të vijimit të këtij bashkëpunimi, kryeministri i ri shqiptarëve thekson projektin e gazsjellësit TAP. “Është një projekt që na bashkon gjithnjë e më shumë. Unë kam pasur kënaqësinë të flas për këtë projekt me kryeministrin tuaj dhe jam i bindur që ai do të jetë një urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Italisë”, thotë kreu i qeverisë së Shqipërisë. Në emision theksohet dhe vizioni i kryeministrit për të bërë ndryshime të rëndësishme në vend. “Ne jemi në Europë, në zemër të saj dhe duam të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian. Rruga jonë vazhdon, por sipas meje është, ka qenë dhe do të jetë një hap jo drejt një destinacioni, por pikësëpari drejt vetes, si europianë që duhet dhe mund të jemi pjesë e kësaj familjeje”, shprehet kryeministri në lidhje me zhvillimin e Shqipërisë si një vend europian, aspirant për të qenë anëtar i unionit me të drejta të plota.