RAMA-RASHBULL-24_13Ditën e parë të nisjes së fushatës elektorale zyrtarisht, kryesocialisti Edi Rama e nisi me një bashkëbisedim me fermerët e komunës Rrashbull në Durrës, ku prezantoi kandidatët për deputetë Ilir Beqja dhe Shkëlqim Troplini.


“Kemi vendosur t’i mbajmë sytë nga fshati. Pas 22 vjetësh braktisje të fshatit, ne do ia shtrijmë dorën fshatit dhe ta mbështesim me gjithë fuqinë tonë. Do ta heqim akcizën e naftës, do të heqim taksën e qarkullimit të naftës dhe nafta për çdo aktivitet prodhues do të ketë nje tjetër çmim. Do të investojmë 160 milionë dollarë për ujin në parcelë. Do ta heqim taksën 20 për qind për plehrat kimike. Do ta heqim taksën 20 për qind për makineritë”, tha Rama.


Banorët e kësaj komune kërkuan të dinë nga Edi Rama se kur do të marrin tapitë e tokave.


“Këta demokratë e republikanë kanë 20 vjet duke marrë votat e pronarëve dhe duke thënë ‘ne jemi ata që zgjidhim çështjen e pronës’. Në mandatin tonë që do të marrim nga vota e 23 qershorit do të zgjidhim çështjen e pronës. Brenda katër viteve do të japim certifikatën e tokës për të gjithë ata që kanë 20 vjet që rropaten me një copë tokë dhe mirë që rropaten, por nuk e kanë ende tokën e tyre. Me Saliun nuk ka legalizime, i duheni kështu siç jeni pa legalizime, të lidhur pas karrocës së tij”, tha Rama.


24 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)