rama ne top storyI  ftuar në emisionin “Top Story”, në Top Channel të gazetarit Sokol Balla, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama e vlerësoi aleancën me LSI-në si çelësin për largimin e kryeministrit Berisha dhe për të ndryshuar situatën ku ndodhet vendi, duke iu referuar edhe zhvillimeve më të fundit në KQZ.


“Jo vetëm që PS me LSI duhet të bashkoheshin, por bashkimi është një hap i natyrshëm për t’i dhënë fund një anomalie në sistemin politik shqiptar, pasi gjithë ajo që ka ndodhur me KQZ është një shprehje brutale e së vërtetës që zgjedhjet janë të kërcënuara dhe që kërcënimi vjen nga i njëjti person dhe e njëjta parti. Kjo është një arsye e mjaftueshme për të kapërcyer të shkuarën të gjithë së bashku dhe arsye që në 23 qershor të ndryshojmë fytyrën e këtij vendi”, u shpreh kreu i PS.


I pyetur se si do të mund t’i kapërcejë ngjarjet e 21 Janarit, kryesocialisti theksoi se kjo ngjarje është një nga arsyet që e ka shtyrë të bëjë aleancë me Metën dhe se bashkimi i së majtës do të krijojë mundësi që drejtësia të vendoset në vend.


“Unë jam i hapur për 21 janarin në këtë debat. Jam i hapur për ata të cilët shohin këtë bashkim me sytë e të lënduarit të drejtpërdrejtë ose ata të cilët vranë dëshmorët e 21 janarit apo justifikuan në gjithë burimet e propagandës këto vrasje. Këta të dytët unë i neveris, që përngjyejnë emrin me gjakun e 21 janarit apo të tjerët lart në pushtet që ngjyejnë gjuhën me gjakun e 21 janarit. Unë i neveris! U kam lënë mallkimin e zotave, këta të tjerët që janë emocionalisht të përfshirë në 21 janar, janë ata që më bëjnë të mos lodhem kurrë së shpjeguari një të vërtetë shumë të thejshtë; bashkimi me LSI është e vetmja që garanton 21 janarin si një cështje që nuk mund të mbyllet si farsë, sepse bashkimi ynë sjell fitoren e PS dhe të gjithë këtij koalicioni dhe sjell vendosjen time personalisht përballë përgjegjësisë, jo më për të folur për 21 janarin, por për të krijuar kushtet që drejtësia të bëjë drejtësi”, tha Rama.


Sa i përket mundësisë së përfshirjes në koalicion edhe të Aleancës Kuqezi, Rama e la të hapur mundësinë e një lëvizjeje të tillë, por theksoi se i takon AK të pozicionohet mes koalicionit opozitar apo pushtetit.


“Nëse FRD është Partia Demokratike pa Saliun kjo është e qartë dhe nuk ka ekuivok, projekti i tyre është i qartë, por për AK duhet të presim ca ditë ta kuptojmë, është Saliu pa PD apo një forcë opozitare. Duhet të vendoset mes këtij koalicioni apo pushtetit dhe jo për të çoroditur shqiptarët me spazma morale dhe nacionaliste duke dizenjuar një profil që nuk ka të bëjë me profilin që na duhet, apo është një forcë që është e gatshme t’i qendrojë atij boshti që ka fituar simpati mes shumë njerëzve, që është lufta pa kompromis korrupsionit, ndarja e pushteteve, shtet ligjor”, theskoi Rama.


11 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)