Kreu i socialistëve Edi Rama u është përgjigjur nëpërmjet rrjetit social “Twitter” akuzave që kryeministri Sali Berisha, artikuloi gjatë mbledhjes së sotme të grupit kuvendor të PD-së.


Në lidhje me deklaratën e Berishës së e drejta e dhënies me koncension njihet që nga koha e Ismail Qemalit, lideri i opozitës i është përgjigjur: “Nga ajo kohë s’ka pasur qeveri më të korruptuar se kjo dhe Kryeministër më obskurantist se ky! I paaftë për të qeverisur dhe i zhytur i tëri në batakun e keqqeverisjes, padrejtësive e të korrupsionit, Saliu di veç të shpifë për opozitën”, shkruan Rama. Më tej kryesocialisti ka përsëritur akuzat për mënyrën se si po shitet kompania “Albpetrol” dhe ka premtuar se me ardhjen në pushtet, PS do të kalojë në sitë mënyrën se si janë dhënë me koncesion pasuritë publike dhe natyrore të vendit. “E vërtetë që Albpetroli në 6 vjet ka dhënë veç 23 milion lekë! Sepse e kanë vjedhur makutërisht me bekimin e Kryeministrit të rrënimit të mëtejshëm!


Sa për koncesionet në tërësi jemi të palëkundur:Do kalojnë në sitën e transparencës e kush ka shkelur ligjin e kontratën do paguajë mbrapsht. Askush s’do vazhdojë të nxjerrë para duke rrjepur lëkurën e Shqipërisë e përfituar ç’ka nuk i takon!Do ketë padyshim dhe anullime të ligjshme”, ka përfunduar Rama.


24 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)