Në kuadër të programit për ‘Një Rilindje Shqiptare’, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka qenë në qytetin e Vlorës, ku ka bashkëbiseduar me bluzat e bardha, por edhe qytetarë. Sipas Ramës, PS do të garantojë shërbim shëndetësor universal, që nënkupton blerjen nga shteti të shërbimit shëndetësor edhe për ata që janë të pasiguruar. “Ne do të themelojmë shërbimin kombëtar shëndetësor, një strukturë e re që do të bëj të mundur transformimin e sistemit shëndetësor. Sot kemi një shërbim shëndetësor të degraduar që ka cenuar rëndë dinjitetin e atyre që punojnë në këtë shërbim, dinjitetin profesional njerëz dhe dinjitetin shoqëror të vendit. Duke e transformuar tërësisht sistemin shëndetësor, njerëzit do të shërbehen denjësisht”, – u shpreh Rama.
Lidhur me atë se çka është parashikuar në draft-programin e PS sa i përket sektorit të shëndetësisë, Rama u shpreh se ky program do të përmirësohet më tej, në mënyrë që të përmbushë nevojat dhe pritshmëritë e qytetarëve në sektorin e shëndetësisë.
“Jam i bindur që katër vjet të një mandati qeverisës janë të pamjaftueshëm për të transformuar rrënjësisht nga pikëpamja e funksionimit në çdo pjesë të vetën shërbimit shëndetësor shqiptar. Por jam i bindur njëkohësisht që katër vjet janë plotësisht të mjaftueshëm për të parë frytet e para të këtij transformimi. Është e sigurt që kështu nuk vazhdohet më. Është e sigurt që ky sistem shëndetësor që kemi sot sjell vetëm degradim dhe demoralizim të vazhdueshëm, rrënim të mëtejshëm. Ashtu sikundër jam i bindur që politika që kemi zgjedhur, e cila është një politikë radikale në raport me situatën e sotme, është një terapi shumë e fortë, por pa dyshim e suksesshme për të ndërhyrë dhe për ta operuar gjithë sistemin duke bërë të mundur që ai të ngrihet në këmbë dhe të jetë në gjendje t’u shërbej denjësisht qytetarëve”, – nënvizoi Edi Rama.
Më tej Rama nënvizoi faktin se ekziston një ndryshim i madh dhe i dukshëm mes asaj që ofron qeverisja aktuale, ‘ku çdo shërbim shëndetësor jepet sipas mundësisë për të paguar, dhe asaj që ofrojnë socialistët, me Rilindjen Shqiptare, që është ‘secili sipas mundësive dhe shteti në shërbim të të gjithëve’”.
19 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)