Kreu PS Edi Rama, nga Forumi i Gruas në Elbasan, i ka kujtuar Kryeministrit Sali Berisha premtimet e vitit 2005 për një qeverisje me duar të pastra, premtim i cili sipas shefit të opozitës shqiptare sot rezulton ndryshe.


“Premtimi i ‘duarve të pastra’ është kthyer në një realitet duarsh të zhytura në batakun e një korrupsioni që e bën këtë qeveri, Qeverinë më të korruptuar të 100 vjetëve shtet shqiptar”, tha Rama.


Duke folur për sistemin arsimor në vend Edi Rama e krahasoi atë të ngjashëm me skemat piramidale të vitit 1997.


“Ky është një sistem i cili ka nën themelin e vet të njëjtin parim që kishte sistemi i Sudes, i Xhaferrit. Nuk ka turp më të madh që e vetmja gjë që Kryeministri i vendit tregon kur flet për arsimin, janë ndërtesa shkollash që janë punë komunale, nuk ndërton qeveria shkolla, shkollat i ndërtojnë bashkitë dhe komunat dhe nuk janë lekët që nxjerr nga xhepi Kryeministri, janë lekët e buxhetit të shtetit, të cilat iu takojnë komuniteteve për ndërtuar shkollat. Qeveria garanton kujdesjen për gjithë mësuesit, cilësinë e mësimdhënies”, – u shpreh Rama.


Edi Rama premtoi një qasje tërësisht të re në raport me administrimin e vendit, ku qeverisja socialiste do të angazhohet që në Shqipëri të ketë drejtësi, ekuilibër social dhe gjinor.


5 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)