Deputeti rebel braktis mbledhjen. Nuk pranohet propozimi i Hafizit për referendumin
ARTEMISA HOXHA
Blushi:
Socialistët e vërtetë nuk mund të jenë dakord me çfarë po ndodh në PS me këtë manipulim votash dhe heqjen e të drejtës së garës, dhe mediokritet monumental. Gjithë vartësit e tij, Rama i ka futur në kryesi.
Hafizi:
Kemi bërë kërkesë dhe nuk u hodh në votim. U tha nuk mund të futet një kërkesë që ka ardhur dje dhe të futet sot në rendin e ditës. Ideja ishte që Asambleja të na mbështeste. S’do donim që të kishte fatin e kërkesës që i kemi bërë KGS-së 3 javë përpara Kongresit
Balla:
Më vjen keq që kolegu Blushi në fjalën e tij u mundua të fyente kolegë që unë apo të tjerë të propozuar për anëtarë të Kryesisë, sepse unë nuk shikoj asgjë të keqe që të shash Saliun është gabim dhe sipas tij kush shan Saliun nuk duhet të zgjidhet në Kryesinë e PS.
Rama:
Vijmë pas një Kongresi që i hapi rrugë një referendumi për herë të parë në historinë e partisë sonë, por edhe në jetën politike të partive në Shqipëri. Ishte një ushtrim i shkëlqyer demokratik, me një pjesëmarrje inkurajuese edhe shumë motivuese
Mbledhja e djeshme e Asamblesë Kombëtare të PS-së ka qenë ndoshta edhe e fundit për deputetin e majtë, Ben Blushi, i cili kërkoi që dje së bashku me deputeten e Shkodrës, Mimoza Hafizi, kërkuan që në rend të ditës të ishte edhe shqyrtimi kërkesës drejtuar kësaj strukture në lidhje me referendumin e mbajtur më 9 prill. Por anashkalimi i kësaj kërkese ka qenë edhe arsyeja që më pas Blushi pas fjalimit të kreut të PS-së, Edi Rama ka braktisur punimet e asamblesë duke mos marrë pjesë në asnjë nga proceset zgjedhore që u mbajtën gjatë ditës së djeshme. Ndërkohë që pas largimit nga mbledhja me dyer të mbyllura, ai shpërtheu në një lumë akuzash ndaj lidershipit socialist, që sipas tij ka bërë pjesë të Asamblesë Kombëtare kriminelë dhe kanabistë. Në një prononcim për mediat, Blushi ka deklaruar se prania e tij në fillim të punimeve të asamblesë ishte pasi kishte propozuar një rezolutë për hapjen e kutive të referendumit, që sipas tij nuk u mor parasysh. “Kjo kryesi nuk është e PS, është e Rilindjes, një lavatriçe mediokriteti. Socialistët e vërtetë nuk pranuan të jenë pjesë e kësaj kryesie. Falënderoj zonjën Dade dhe zotin Dokle që thanë se nuk do të jenë pjesë e saj. Sepse ata nuk mund të jenë dakord me këtë që po ndodh në PS”, ka deklaruar Blushi. Sipas tij, kryesia e PS është kthyer në një korporatë që e ka zhytur Shqipërinë në korrupsion. “E dini si janë futur njerëzit këtu në kryesi? E para duke mbushur kutitë. E dyta duke bërë tender,i cili ka nisur prej 6 muajsh: Kush shan më shumë oponentët brenda PS. I vetmi propozim ekonomik që ka bërë rilindja është legalizimi i kanabisit. Unë dikur kam thënë që këta rilindës ndahen në dy palë, krenaristë dhe kanabsitë. Krenaristët janë krenarë për gjithçka, edhe kur dështojnë janë krenarë, kanabistë janë këta që besoj se Shqipëria mund të lulëzojë duke na çuar të gjithëve nëpër ara të kultivojmë kanabis. Nuk mund të jem dhe s’kam për të qenë pjesë e kësaj. Socialistët e vërtetë nuk mund të jenë dakord me çfarë po ndodh në PS me këtë manipulim votash dhe heqjen e të drejtës së garës, dhe mediokritet monumental. Gjithë vartësit e tij, Rama i ka futur në kryesi. Kjo nuk është kryesi. Është sundimi i një partie në mënyrë vulgare. U ngjan atyre shesheve që përuron zoti Rama e që ngjajnë me banjat publike të vitit ’91”, ka thënë Blushi. Duke iu përgjigjur interesit të mediave nëse po mendon për krijimin e një partie të re, Blushi është shprehur se, “këtë po e mendojnë shqiptarët, për të shpëtuar nga Rilindja dhe nga PD-ja”. “PD-ja shkon për armatosje, Rilindja shkon për kanabis. Jam i bindur se Shqipëria do ta gjejë rrugën e saj”, ka shtuar Blushi. Por një reagim në lidhje me refuzimin e kërkesës për referendumin e ka bërë edhe deputetja Mimoza Hafizi. “Kemi bërë kërkesë dhe nuk u hodh në votim. U tha nuk mund të futet një kërkesë që ka ardhur dje dhe të futet sot në rendin e ditës. Ideja ishte që Asambleja të na mbështeste. S’do donim që të kishte fatin e kërkesës që i kemi bërë KGS-së 3 javë përpara Kongresit”, tha Hafizi. Duke komentuar dorëheqjen e Arta Dades nga kandidimi për anëtare të kryesisë, Hafizi tha është një akt fisnik dhe protestë për atë çfarë po ndodh dhe çdo të ndodhë në PS.
Balla
Si përherë, ai që reagon kundër çdo deklarate të deputetit Blushi është nënkryetari i grupit, Taulant Balla. Akuzat e deputetit të Elbasanit, Taulant Balla, deputeti i përzgjedhur për t’i dhënë përgjigje oponentit Blushi, i barazon me ato të Sali Berishës. “Mua më vjen keq që kolegu Blushi në fjalën e tij u mundua të fyente kolegë që unë apo të tjerë të propozuar për anëtarë të Kryesisë PS, sepse unë nuk shikoj asgjë të keqe që të shash Saliun është gabim dhe sipas tij kush shan Saliun nuk duhet të zgjidhet në kryesinë e PS”, tha Balla, teksa dha vlerësoi dhe mirëpriti edhe vendimin për të mos shkuar në garë për anëtarë të kryesisë nga ana e Dades dhe Dokles.
Kryesocialisti
Fjalimin e tij kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama e ka nisur pikërisht duke përforcuar rezultatin e referendumit, si dhe duke vënë në dukje pikërisht se ai ishte një ushtrim i mirë dhe demokratik që u mbajt për herë të parë në një parti politik në vend, duke reaguar kështu për deklaratat e Blushit dhe Hafizit, të cilët pretendojnë se rezultati i tij ka qenë i trukuar. “Vijmë në këtë Asamble, pas një Kongresi që i hapi rrugë një referendumi për herë të parë në historinë e partisë sonë, por edhe në jetën politike të partive në Shqipëri. Ishte një ushtrim i shkëlqyer demokratik, me një pjesëmarrje shumë inkurajuese dhe njëkohësisht, edhe shumë motivuese, për mua në radhë të parë, por besoj edhe për të gjithë ne këtu”, nisi fjalimin kryesocialisti Rama. Më pas ai është ndalur pikërisht edhe një atë çfarë e majta do të ketë si motivacion pas mbledhjes së kësaj asambleje deri në qershor, kur dhe do të festojnë 25-vjetorin e themelimit të partisë. “Ajo çka ka ndodhur në këtë periudhë të fundit, qysh kur Asambleja e mëparshme vendosi të ndërmarrë një proces hapjeje, zgjerimi dhe rritjeje të anëtarësisë së partisë, është për mua dhe duhet të jetë për të gjithë ne, një motivacion jashtëzakonisht i fuqishëm për të ecur me vendosmëri përpara. Nuk është diçka që ndodh rëndom, që një parti që qeveris, partia kryesore e koalicionit, e cila prej dy vitesh udhëheq një proces të jashtëzakonshëm reformash të thella dhe të dhimbshme, të nisë procesin për anëtarësimet e reja – e kemi nisur fiks mbas dy vitesh – dhe të ketë një mbështetje kaq të madhe dhe kaq domethënëse, në formën e dëshirës për të qenë pjesë e saj dhe të vullnetit për t’u anëtarësuar në radhët e saj”, ka thënë Rama. Ndërsa në mbyllje të këtij procesi kryesocialisti mbajti këtë qëndrim nëpërmjet një postimi në “Facebook”, “Një tjetër ditë e shënuar demokracie në PS, zgjedhjet e Asamblesë së re Kombëtare për sekretarin e përgjithshëm, kryesinë e re si edhe Sekretariatin Ekzekutiv të Partisë Socialiste”.
Kërkesa
Deputetët Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi një ditë para mbajtjes së Asamblesë Kombëtare i kanë drejtuar PS-së, një kërkesë të përbashkët për të marrë një kopje të listës së zgjedhësve për referendumin e 9 prillit, kopjet e listave të pjesëmarrësve në procesin e votimit, kopje e procesverbaleve nga komisioni i vendvotimit dhe vendnumërimit, si dhe një kopje e tabelës së rezultateve të hartuara nga KZP dhe e procesverbalit të KZP për shpalljen e rezultatit të referendumit. Ndërkohë që për këtë letër ata pak ditë më parë bënë me dije se e paraqitën edhe në Komisionin e Garancive statuore në PS, por që ende nuk kanë marrë ende një përgjigje.