ramaKryeministri i vendit Edi Rama është shprehur me tone të ashpra ndaj klasës politike serbe lidhur me deklaratat e tyre pas incidentit të rëndë në ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë në të parën deklaratë publike nga vendi i tij pas kthimit nga vizita disa ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Duke rikonfirmuar faktin se vizita e tij në Beograd nuk do të anulohet por thjesht do të shtyhet kryeministri theksoi se kush bën apel për anulimin e kësaj vizite gabohet, pasi nuk është kjo përgjigja e duhur ndaj Serbisë.


Rama shtoi se perkundër zërave se mosanulimi i vizitës është imponuar nga BE, askush nuk e ka telefonuar për ta bërë një gjë e tillë, por ky është një vendim i marrë me vetëdije të plotë prej tij.


“Anulimi s’do te ishte përgjigjja e duhur. Anulimi cenonte rolin paqtues e emancipues që shqiptarët kanë marrë në rajon, me një shkallë ku jo Serbia, por Shqipëria do ishte humbësja më e madhe. Kundërshtarët thonë që na ka imponuar Brukseli mos anulimin e vizitës. Konfirmimi i vizitës nuk është imponuar nga Brukseli. Brukseli ka imponuar shumë gjëra por këtë jo, siç nuk na ka imponuar thirrjet ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’”, tha Rama.


Sipas kryeministrit, destinacioni i vetem i Ballkanit eshte Europa pasi pa Europen Ballkani do te plaste si fuçi baruti, ashtu siç edhe ndodhi, ku balona nisi si perçartje huliganesh per te perfunduar si percartje politikanesh.


Duke iu referuar çeshtjes se shumeperfolur te dronit, Rama deklaroi edhe nje here se vellai i tij nuk ka kurrefare lidhjeje me te.


“Askush nuk e njeh autorin e dronit. Vëllait tim i ra rasti të hyjë në listën e heronjve të Ballkanit, fatkeqësisht”, tha Rama.


Deklaratat e kryeministrit u bënë gjatë konferencës me temë: “Itali-Shqipëri, një partnership europian”, me praninë edhe të ish-kryeministrit italian Romano Prodi, të cilin gjatë fjalës së tij Rama e cilësoi si nxitësin e rrugës europiane të shqiptarëve.


20 tetor 2014 (gazeta-Shqip.com)