Kryetari i opozitës flet para grupit të deputetëve socialistë.


Debati në distancë mes Berishës dhe Ramës mbi reformën zgjedhore vijoi sot me një fjalim që kreu i opozitës Edi Rama mbajti para grupit parlamentar të Partisë Socialiste.


“Reformimi i KQZ është domosdoshmëri. Opozita e ka të pamundur të tërhiqet nga ky kusht,” tha Rama duke iu përgjigjur deklaratave të djeshme të Berishës. “Reformimin e KQZ nuk e ka kërkuar vetëm opozita. Gjetjet dhe rekomandimet e ODHIR flasin troç: KQZ nuk duhet të jetë një thertore e zgjedhjeve që kryeministri do ta mbajë të hapur me çdo çmim, përfshirë edhe përgjigjen e mundshme negative nga Brukseli për statusin kandidat,” vijoi më tej Rama.


Një kusht tjetër i opozitës, sipas Ramës është transparenca e materialeve zgjedhore si dhe ngritja e disa zonave pilot për testimin e numërimit elektronik.


“Transparenca e materialeve zgjedhore është gjithashtu një kusht për të goditur korrupsionin e kudondodhur elektoral,” tha Rama.


Bisedimet për një reformim të kuadrit aktual të ligjeve zgjedhore si dhe administrimit të zgjedhjeve, kanë vijuar me shkëputje mes maxhorancës dhe opozitës që nga viti 2010. Palët nuk kanë ende asnjë platformë bazë mbi të cilën mund të punohet për një kompromis, por akuzojnë njëta-tjetrën në distancë për bllokim të procesit.


Ditën e djeshme, kryeministri Berisha deklaroi se Ristani [kreu i KQZ] nuk është Ali Pasha dhe nuk do të lejojë prerjen e kokës së tij.


Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të zhvillohen nga vera e vitit të ardhshëm dhe palët kanë ende disa muaj kohë për të kryer ndryshime në kodin elektoral para se afatet ligjore të skadojnë.


3 Korrik 2012 (gazeta-Shqip.com