“Në këtë situatë nuk ka vend për forcat që rrinë në mes”


Fatjona Mejdini


Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje, se Bamir Topi, që sot drejton Frymën e Re Demokratike, dhe Kreshnik Spahiu i Aleancës Kuq e Zi, duhet të pozicionohen qartë në lidhje me aleancat që të kryejnë në zgjedhje. Përpallë gazetarit Alfred Peza në emisionin “Debat” në “Vizion Plus”, Rama theksoi se ai nuk beson se Bamir Topi do ta shkëpusë dot kërthizën nga e djathta e kalbëzuar që sot dënon, duke theksuar se ai mund të jetë pjesë e koalicionit të Berishës pas zgjedhjeve. Përveç çështjes së aleancave, Rama njoftoi në intervistë faktin se PS-ja nuk do të marrë pjesë në votimin për kryetarin e ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke e quajtur këtë një çështje të mazhorancës. Po kështu, ai rrëfeu se opozita është tërhequr nga kërkesa për të votuar në mënyrë të fshehtë dekretet e Presidentit, duke i hapur rrugë miratimit të reformës parlamentare si një kusht që kërkohet nga Komisioni Europian.


Aleancat


Kreu i socialistëve foli dje gjatë për aleancat dhe për bindjen e PS-së se do të fitonte zgjedhjet e vitit 2013. Ai u tregua i ashpër kryesisht me Bamir Topin e FRD-së, duke theksuar se ai nuk mund të sulmojë PS-në me gurët e Sali Berishës. Sipas Ramës, FRD-ja duhet të jetë e qartë në aleancat e saj, sepse qëndrimi i kësaj force në mes të dy forcave të mëdha politike nuk është garanci për votën opozitare. Duke përmendur shembujt e zgjedhjeve të vitit 2005 dhe 2009, Rama theksoi se është i qëndrimit se Topi nuk do e shkëpusë dot kërthizën nga PD-ja e kalbëzuar, ose thënë ndryshe nga Sali Berisha. Sipas Ramës, FRD-ja dhe AK-ja me këto qëndrime të tyre mund të lënë me “gisht në gojë” të gjithë opozitarët që presin rotacion. Por Rama nuk harroi të theksonte se PS-ja është një parti e hapur për aleanca. “FRD-ja është një PD e re, sesa e madhe është, do ta tregojë procesi zgjedhor dhe vota, vija e frontit opozitar është e hapur. Këtu nuk kemi vend për forcat që rrinë në mes, nuk janë garanci për opozitarët që duan me çdo kusht rotacionin politik. Nuk besoj se Bamir Topi e këput kërthizën me të djathtën e vjetër, siç e ka këputur guximtari Spartak Ngjela. Dhe për AK-në shtohet pyetja se çfarë do të bëjnë nesër për të mos i lënë me gisht në gojë të gjithë ata që kërkojnë rotacionin qeveritar”, deklaroi Rama, i cili akuzoi Topin se fliste me gjuhën e Berishës kundër PS-së dhe atij vetë. Ai gjithashtu theksoi se rruga e Nikollë Lesit për t’u kthyer në origjinën e majtë, nuk mund të ndalet nga asgjë. Për sa i përket ikjes së Nard Ndokës nga koalicioni Rama, tha se Ndoka ka bërë një batutë unikale kur ka thënë se “meqë koalicioni nuk ishte eficent në luftën kundër Berishës, po shkoj te Berisha”. Nga ana tjetër, Rama e konsideroi komunikimin me kreun e LSI-së, Ilir Meta, si formal dhe theksoi se ishte një qasje e gabuar ajo që PS-ja s’mund të fitojë dot zgjedhjet pa LSI-në. “Unë e kam ndarë mendjen se do të fitoj zgjedhjet”, theksoi Edi Rama, duke shtuar se PS-ja do të bënte të gjitha përpjekjet për të zgjeruar mbështetësit e saj dhe për të mos nënvlerësuar asnjë votë opozitare.


Reformat


Kryesocialisti Rama deklaroi dje, se procedura për procesin e zgjedhjes së kryetarit të KQZ-së nuk është bërë sipas ligjit dhe PS-ja ka marrë vendimin për të mos qenë pjesë e votimit për dy kandidaturat në garë. “Në ligj nënkuptohet se kryetari i takon vullnetit të shumicës dhe kjo është normale, pavarësisht se shumica këtu s’ka legjitimitet. Ajo çfarë bën opozita skarton dy dhe lë dy të tjerë që mbeten në fund. Ne nuk do të marrim pjesë në atë votim, pikërisht sepse e gjithë procedura ishte me shkelje të vazhdueshme të vetë ligjit, dhe s’ka asnjë arsye për ne të marrim pjesë në kurorëzimin e kësaj procedure. Është vullneti i shumicës, le të bëjnë çfarë të duan”, deklaroi Rama. Ai lajmëroi gjithashtu zhbllokimin e reformës parlamentare, duke theksuar se ajo do të votohet së shpejti si rezultat i heqjes dorë nga PS-ja për votimin e fshehtë të dekreteve të Presidentit. Por Rama theksoi në mënyrë të qartë se ai nuk heq dorë nga qëndrimi për të mos votuar ligjin e Gjykatës së Lartë pa u zgjidhur më parë çështja e Qarkut të Fierit. “I takon palës tjetër të lëshojë rrugën që ka zënë, për të administruar Qarkun e Fierit. Jo ligjit nëse nuk zgjidhet Fieri. Është momenti kyç për ta ngritur si çështje”, këmbënguli Rama.


 


Ben Blushi – “Ai është i angazhuar në detyrën e mbulimit të Qarkut të Elbasanit dhe çdo gjë po funksion mirë”


Reklamat – Rama deklaroi se çështja e reklamave është e rëndë, për shkak të abuzimeve tejet të mëdha që janë bërë me paratë e shqiptarëve. Ai tha se është financuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe PD-ja


Hetimet – Kreu i PS-së ftoi prokurorinë të hetonte për mënyrën sesi ai i kishte shpërndarë reklamat e kohës kur drejtonte Bashkinë e Tiranës. Sipas tij, prokuroria duhet të hetonte tw gjitha dyshimet e dala


Imami – Rama deklaroi se ai ka pasur një miqësi të hershme me ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, por beteja e opozitës ndaj tij ishte vetëm për të treguar sesa thellë Shqipëria ishte në zhytur në korrupsion


PS – Rama argumentoi se zgjedhja e tij në presidencën e partive socialiste europiane, ishte një tregues më shumë se PS-ja ishte një parti që shikohej me seriozitet në Brukselin zyrtar