Grupi i PS
Kryeministri u shpjegon socialistëve ecurinë e negociatave për reformën në drejtësi
ARTEMISA HOXHA
Ngërçi i shkaktuar nga kushtet e opozitës për vijimësinë e diskutimeve mes palëve për reformën në drejtësi, ka qenë në fokus të mbledhjes së përjavshme të grupit të majtë parlamentar, ku vetë kreu i PS-së, Edi Rama, u ka kërkuar deputetëve të mos ndryshojnë asgjë nga drafti që ka ardhur nga Komisioni i Venecias. Mazhoranca sipas tij, do të vazhdojë punën për reformën në drejtësi, ku theksoi se ndryshimet kushtetuese do të bazohen në opinionin e Venecias. Duke u ndalur pikërisht në kushtet e të djathtëve për ligjin për dekriminalizimin, për të cilat së fundmi kishin propozuar në Kuvend edhe disa ndryshime në lidhje me precedentin “Prenga”, Rama u ka shpjeguar deputetëve se ky qëndrim i të djathtëve nuk ka më asnjë kuptim, për sa kohë çështja është e ndarë nga ajo për Reformën në Drejtësi. Por një nga kërkesat e opozitës, ajo e ngritjes së komisioneve hetimore apo dhe për propozimet për ndryshimet në ligjin për dekriminalizimin, nga vetë kreu i PS-së janë konsideruar si sjellje luajale, të cilat nuk e çojnë në asnjë drejtim të duhur opozitën. Kështu, që sipas tij të gjitha pengesat që po hasen për të rivendosur edhe një herë dialogun për të miratuar draftin e finalizuar, si dhe të vlerësuar nga Komisioni i Venecias tregojnë qartë se kjo opozitë nuk e do këtë reformë. “Vetëm se nuk e pranon publikisht, por ajo nuk e dëshiron reformën, pasi u trembet vjedhjeve që ka bërë kur ishte në pushtet”, mësohet t’u jetë drejtuar deputetëve të majtë Rama. Por duke folur rreth ngërçit të krijuar mes palëve, mësohet se Rama u ka dhënë dhe 2 arsye deputetëve socialistë që sipas tij kanë demokratët për të mos votuar ndryshimet kushtetuese, që do t’i hapnin rrugën reformimit të drejtësisë. Për kryetarin socialist, opozita i druhet ndëshkimit për zullumet që ka bërë gjatë qeverisjes 8-vjeçare, si dhe një arsyeje tjetër është hapja e negociatave, që sipas tij opozita kërkon ta pengojë që të firmoset nga kjo qeveri. “Opozita po e tregon qartë se nuk e do këtë reformë dhe vetëm sa nuk është duke e thënë me zë një gjë të tillë. Po gjen gjithë çfarë sebepesh duke vendosur kushte për mos ta votuar. Nuk e duan reformën se kanë hallin e zullumeve gjatë qeverisjes së tyre”, mësohet t’u jetë drejtuar Rama deputetëve socialistë. Por për të sqaruar edhe një herë gjithë zhvillimet e djeshme në Komisionin e Ligjeve në lidhje me propozimin e opozitës për ndryshimin në ligj për dekriminalizimin në lidhje me precedentin “Prenga”, ka folur edhe kreu i këtij komisioni, Fatmir Xhafaj. Ai ka sqaruar të gjitha pretendimet e opozitës, që sipas tij nuk janë gjë tjetër veçse pengesa artificiale të ngritura nga opozita për të nxjerrë kështu pretekste që mazhoranca nuk pranon asnjë propozim nga opozitarët në Kuvend, por bën çdo gjë me shumicën e saj. Pjesë e diskutimit në mbledhjen e djeshme ishin edhe dy dekretet e Presidentit Bujar Nishani, i cili i kërkoi Kuvendit rishqyrtim të dy ligjeve atij “Për mediat audiovizive”, si dhe dekretin e djeshëm në lidhje me kamerat e sigurisë në ambientet publike. Në lidhje me këto është kërkuar votimi i ligjeve pa ndryshuar asgjë, si dhe për këtë deputetët nuk duhet të kenë mungesa në Kuvend.