385289_370747256363241_140607459_n (1)Tubimi


 Lideri i opozitës bën prezantimin si kreu i listës së deputetëve: Qarku do të jetë laboratori ynë i Rilindjes


 Fatjona Mejdini


Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, bëri dje në Pallatin e Sportit prezantimin e tij si deputeti i ardhshëm i Vlorës dhe si Kryeministër i Shqipërisë, duke kaluar dhe një ‘provim’ që, sipas tij, e kishte djersitur nga emocioni më shumë se vapa e sallës. I perceptuar si prezantim larg atyre të zakonshmëve të mbajtur në qytetet e tjera, Rama paraqiti dje për vlonjatët në sallë fotografi, projekte dhe harta, për të treguar lidhjen e tij të hershme me Vlorën dhe po kështu për të shfaqur planin e tij të transformimit. Rama premtoi se Vlora do të jetë një laborator për të gjitha zhvillimet pozitive ekonomike dhe sociale që do të ndodhin në Shqipëri dhe se ai do të bënte për këtë qark për katër vite, më shumë se ç’janë bërë në 20 vite. Përveç kritikave që ai hodhi për qeverinë aktuale në kuadër të harresës që i është bërë Vlorës, Rama nuk harroi të kritikonte edhe qeverinë socialiste të tetë viteve më parë, kur theksoi se në Vlorë nuk investohej, për shkak se pretendohej se votat i kishin ‘në xhep’. Por, përpara se Rama të bënte prezantimin e tij, në sallën e Pallatit të Sporteve të këtij qyteti u prezantuan me radhë kandidatët për deputetë të Vlorës, ndërsa vetë Rama është thirrur në skenë nga deputeti aktual i PS-së, Auron Tare.


Vizioni


Rama pati një ditë të gjatë dje në Vlorë, ku pak orë të saj ai i kaloi me veteranët e luftës nga ky qytet. Por, në prezantimin që bëri pasdite në Pallatin e Sporteve, ai i ftoi të gjithë vlonjatët, të majtë dhe të djathtë, që të votonin për PS-në, së pari për veten e tyre, në mënyrë që qyteti i dashur t’u transformohej. Në këtë kuptim Rama theksoi se nuk ishte dakord me ndarjet tradicionale, që ballistët e kësaj zone duhet të ishin të djathtë dhe ata që vinin nga familjet partizane të luftës të majtë. “Më 23 qershor banorët e kësaj zone duhet të votonin si vlonjatë”, theksoi Rama, duke kujtuar se kjo zonë ishte e izoluar tërësisht për sa u përket investimeve jo vetëm nga qeverisja e djathtë, por dhe ajo e majtë në vend. “Qeveria para kësaj nuk financoi për Vlorën, se mendonte se i kishte votat në xhep, ndërsa Saliu nuk investoi se e dinte se këtu nuk gjente mbështetje”, tha Rama, duke theksuar se ai nuk meritonte të merrte asnjë votë në Vlorë nisur nga premtimi i pambajtur për të ndërtuar portin e këtij qyteti të rëndësishëm bregdetar. “Berisha i vuri çelësin detit dhe e përdori atë si govatë për të mësuar notin”, theksoi Rama, duke shtuar se Berisha i kishte akorduar këtij qyteti më pak buxhet se Kamza. Ai deklaroi se ka në plan t’i kthejë Vlorës shkëlqimin e 100 viteve më parë, ku jo rastësisht u zgjodh për të qenë vendi nga ku do të shpallej Pavarësia e Shqipërisë. Rama premtoi se Vlora do të jetë në pararojë të zhvillimeve pozitive sociale dhe ekonomike të të gjithë vendit. Ai theksoi se gjatë qeverisjes së majtë kjo zonë do të jetë më në fund në hartën e qyteteve bregdetare të Mesdheut, jo vetëm për sa i përket turizmit, por dhe tregtisë. Ai premtoi se shtatë fshatrat e bregut do të zhvilloheshin për turizmin elitar, duke theksuar se një rëndësi të veçantë do t’i jepej edhe restaurimit të monumenteve të kulturës, për t’i dhënë dhe një dimension të ri turizmit shqiptar.


Elementët


Gjatë prezantimit në Vlorë, Rama ishte i shoqëruar nga nëna e tij, Aneta, dhe bashkëshortja Linda. “Dua të ftoj këtu në skenë


gruan që më bëri kokën dhe gruan që më mban krahun dhe nuk më lë të rrëzohem”, theksoi Rama në fund të prezantimit të tij. Nga ana tjetër, ai nuk la mënjanë as humorin kur prezantoi në monitor fotografi të vogëlisë së tij gjatë pushimeve të verës në Vlorë. “Përpara se të filloj, dua të tregoj fotografi të miat lakuriq, që s’i ka parë njeri deri më sot”, theksoi ai, por pasi ato u shfaqën, Rama theksoi se pjesa e lakuriqësisë ishte prerë nga koordinatorët dhe se ai e quante këtë një gabim.


Vizat


Kreu i PS-së deklaroi nga autobusi elektoral përpara se të mbërrinte të Vlorë, se pavarësisht premtimeve të tij, amerikanët ia kishin hequr vizën Sali Berishës. Këtë koment e bëri i pyetur për liberalizimin e vizave me Amerikën, premtuar nga kreu i qeverisë.


Konventa


PS-ja çel sot në orën 11:00 konventën e saj dyditore, që do të mbahet në Pallatin e Kongreseve. Gjatë ditës së parë do të ketë një riprezantim të kandidatëve dhe aleatëve, ndërsa të hënën do të paraqitet në mënyrë të detajuar programi i PS-së për mandatin e parë qeverisës.


Malaj


Rama theksoi se i qëndronte deklaratës së kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika, për sa i përket distancimit që bënte PS-ja e këtij qyteti nga Malaj. Por kandidati i pavarur reagoi përmes rrjeteve sociale, se Rama duhet të mundë Berishën dhe jo të sulmojë kolegët.