Mazhoranca


BLEDAR HOTI


Rama-Kuvend-LajmPresidenti Nishani nuk ka rrëzuar tri ligje, por tri prioritete kombëtare. Ky është qëndrimi i mbajtur nga Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Parlament përpara rrëzimit të dekreteve të kreut të Nishanit nga mazhoranca e majtë. Kryeministri Rama në fjalën e tij, është fokusuar dhe në bojkotin e partisë më të madhe të opozitës, duke shprehur se PD-ja e ka vendin e saj në Parlament dhe se argumentet e Bashës nuk qëndrojnë. “Nis sesioni i ri me një shumicë përtej asaj qeverisëse në krye të detyrës dhe një parti të ikur në drejtim të paditur”, ishte postimi i Edi Ramës në rrjetet sociale para seancës kuvendore.


Për Nishanin


Që në krye të fjalës së tij, kreu i PS-së u fokusua te vendimi i Nishanit për të kthyer për rishikim ligjet me shumicë të cilësuar. “Duke iu uruar punë të mbarë Kuvendit dhe përfaqësuesve të Aleancës për Shqipërinë Europiane, pa hyrë në argumentime lidhur me arsyetimin pse jemi këtu për t’i zmbrapsur dekretet e Presidentit, dua t’i them opinionit publik, se Presidenti nuk ka goditur disa ligje, por tri prioritete kombëtare. Reforma në drejtësi është prioritet kombëtar. Qytetarët përplasen çdo ditë në dyert e një sistemi të kalbur; janë qytetarët të parët që duan një operacion rrënjësor për këtë sistem. Reforma administrativo-territoriale është prioritet kombëtar i përcaktuar sipas qeverive të radhës si domosdoshmëri. Fatkeqësisht, Presidenti organizon dëgjesa me të zgjedhur vendorë të së djathtës, pasi Parlamenti e ka votuar reformën. Dëgjesa surreale, që as formalisht nuk justifikojnë rolin e Presidentit të Republikës. Lufta kundër krimit është prioritet kombëtar, dhe ligji për Policinë e Shtetit erdhi në këtë Kuvend, pasi u punua me gjithë përfaqësuesit e organizmave që asistojnë Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Mbrojtjes nga një sërë vendesh, si dhe nga BE-ja. Edhe këtë Presidenti e goditi. Më vjen keq të kujtoj që ndërkohë që rendi për t’u bërë pjesë e sulmit ndaj Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, – nënkupto edhe qeverisë, – për atë kaçatorin e drogës që ra në Divjakë, ende nuk e kam dëgjuar të thotë një fjalë as për superaksionin e Lazaratit, në mbështetje të trupave të policisë; as për superaksionin e Dukagjinit, në mbështetje të trupave të policisë dhe të paktën një fjalë të vetme për t’u solidarizuar kundër atyre gangsterëve që patën kurajën të qëllojnë dhe t’i rezistojnë me armë Policisë së Shtetit, duke vënë në rrezik serioz jetën e trupave të Policisë së Shtetit”, tha Rama në adresë të kreut të shtetit. Në mbyllje të shpjegimit të tij për veprimet e Presidentit, Kryeministri bëri të ditur se mazhoranca që ai drejton nuk do të veprojë si paraardhëset. “Nuk kemi kohë për të humbur as me debate me Presidentin, por këto janë disa fjalë që duheshin thënë për Presidentin dhe opinionin. Nuk jemi nën të njëjtën llogore për të hedhur gjyle balte ndaj Presidentit, siç ka ndodhur në të shkuarën dhe sot për herë të parë ka një president që sulmon qeverinë”, theksoi Rama.


Për opozitën


Një tjetër çështje që lideri i PS-së u fokusua në fjalën e tij, ishte bojkoti i PD-së në Parlament. Sipas tij, argumentet e PD-së në adresë të mazhorancës nuk qëndrojnë dhe se nuk do të presë pa fund opozitën. “Sot ka një parti,partia më e madhe opozitën që mungon, ata mendojnë që mungojnë me arsye, por unë besoj se arsyet e paraqitura për mungesën janë arsye që konfirmojnë mungesën e plotë të ekuilibrit të opozitës me detyrat ndaj publikut dhe ndaj zgjedhësve të vet. Sidoqoftë, në këtë pikë nuk jemi në vazhdën e foltores që bënte Kryeministri, i cili lëshonte ç’t’i vinte për goje për opozitën në mungesë. Vetëm se një gjë është e sigurt, se përpjekjet për t’i mbyllur gojën opozitës jo vetëm që nuk ka, por ka një dëshmi shumë të qartë për t’i krijuar opozitës për të folur përtej çdo caku që i cakton rregullorja. Dje kam parë të dhënat që kishte kryeparlamentari për seancat në Kuvend dhe lideri i opozitës kishte më shumë se dyfishi i kohës së shfrytëzuar sesa Kryeministri. Megjithatë, kjo mund të quhet një fakt i papranueshëm për këtë diskutim, se lideri është rekordmen, por është e sigurt se në atë që ai e quan not, që është fiks si një ujitje, është një rekord dhe më i lartë i marrjes së kohës së bashkëjetesës së Kuvendit. Në kohën përpara kësaj foltoreje, po marr numrin e forcës, atëherë shkojmë më shumë se dyfishi. Shkojmë në argumentin se këtyre u mbyllet goja, gjw qw është krejtësisht i paqëndrueshëm. Ashtu sikundër, opozita është në të drejtën e vet të bëjë atë që sheh më të arsyeshme. Ne nuk mundet veçse ta respektojmë në zgjedhjen e saj, të bindur që s’mund të bëjmë babysitter-in e opozitës, aq më tepër që opozita nuk është një bebe që sot qan nga uria, por një plak që qahet nga mbingopja”, tha Rama në fjalën e tij.


Apeli i Metës


Kryeparlamentari Ilir Meta, në fjalën e mbajtur me rastin e hapjes së sesionit të tretë të Legjislaturës VIII të Kuvendit të Shqipërisë, u shpreh se opozita do të jetë gjithmonë e mirëpritur për të dhënë kontributin e saj. “Avancimi i reformave në të pesë prioritetet kyçe në raport me Bashkimin Europian, mbetet një sfidë mjaft e rëndësishme, ku, natyrisht, unë do të veçoja sidomos në këtë sesion të vjeshtës vazhdimin e reformës në sistemin e drejtësisë, e cila duhet të jetë e thellë, e plotë, gjithëpërfshirëse me një konsensus sa më të gjerë të mundshëm të politikës dhe me ekspertizën më të mirë vendase dhe të partnerëve ndërkombëtarë. Opozita do të jetë gjithmonë e mirëpritur për të kontribuar për realizimin e kësaj reforme me të gjitha kapacitetet e saj politike dhe profesionale. Kjo do të ishte një mundësi më shumë edhe për evitimin e klimës konfliktuale dhe për inkurajimin e frymës së bashkëpunimit në bazë të respektit reciprok dhe të dobisë së ndërsjellë. Lufta e përditshme politike dhe politika për hir dhe në shërbim të luftës së përditshme që bëjmë, janë diçka që duhet t’i përkasin sa më shumë të shkuarës. Më shumë konstruktivitet dhe pozitivitet afrojnë pa dyshim më shumë zgjidhje dhe zgjedhje për qytetarët tanë”, tha Meta.


 


Himni


Seanca ka nisur me mbajtjen e Himnit Kombëtar. Seanca nisi me vonesë, për shkak të mbledhjes së grupit parlamentar të LSI-së