Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, në një intervistë për Zërin e Amerikës deklaroi se partia që ai kryeson do të jetë e hapur koalicion me cilëndo forcë politike që është e gatshme për rotacion politik, në mënyrë që zgjedhjet 2013 të mbyllin kapitullin e keqqeverisjes.
“Zgjedhjet do mbyllin kapitullin e keqqeverisjes. Nuk jemi në një moment normaliteti, është domosdoshmëri rotacioni politik. Janë kushtet për një aleancë përtej dallimeve programore që të garantohet rotacioni, mirëpresim çdo faktor politik që do rotacion, për të hapur rrugën që Shqipëria t’i rikthehet një normaliteti politik”, tha Rama.
Kreu i PS u ndal edhe tek gjendja e sistemit të drejtësisë në vend, ku theksoi në mënyrë të veçantë dy çështje të rëndësishme gjyqësore të cilat kanë dështuar, si ai për tragjedinë e Gërdecit, ku të gjithë shkaktarët e vrasjes së shumëfishtë përfunduan të lirë si dhe farsën, siç e quajti ai, me gjyqin për 21 janarin.
“Jemi para mbylljes me falje të tragjedisë së Gërdecit. Jemi para një farse të pashoqe për ngjarjet e 21 janarit. Duhet një vendim i drejtë për të dyja këto ngjarje”, theksoi kreu i PS.
27 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)