Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e ka cilësuar antikombëtare politikën e ndjekur nga qeveria për arsimin.Në një takim me prindër dhe nxënës të Tiranës, kryesocialisti Rama ka shpalosur programin e PS-së për një Rilindje Kombëtare në fushën e arsimit, ku theksoi se ky sektor ka nevojë për politika të reja.
“Qeveria shqiptare ka ndjekur politika antikombëtare për arsimin që janë thika pas shpine për këtë vend që duhet të jetë nesër i barabartë me vendet e tjera të BE-së. Sot arsimi ka nevojë për një politikë të re. Sot sfidat e mëdha të një krize globale, bota e mençur i njeh si sfida të rritjes së cilësisë dhe të natyrës së arsimimit. Ne nga njëra anë e fshehim krizën dhe çështje e mbartura dhe plagë të vjetra të cilat i lëmë të majisen me bindjen e thjeshtë që pas meje të bëhet qameti”, deklaroi Rama. Kreu i opozitës theksoi më tej se shkollat janë politizuar, ndërsa mësuesit janë kthyer në shërbëtor të politikës. Ai kërkoi krijimin e një strukture ku prindërit të jenë pjesë e vendimmarrjeve në shkolla.
“Në programin e 4 viteve më parë e kemi nënvizuar që shkollat të hapin dyert për pjesëmarrjen e prindërve në mbarëvajtjen e punëve të tyre. Duhet të bëhet ndërtimi e një strukture të menaxhimit të shkollës, ku prindërit duhet të jenë bashkëpunues të mbarëvajtjes së punëve në shkollë dhe ky bord i përbashkët duhet të diskutojë dhe të marrë vendime të përbashkëta dhe çdo prind duhet të informohet me shkrim në mënyrë sistematike për ecurinë e fëmijës së tij në shkollë” tha Rama.
9 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)