Një ditë përpara nisjes së sesionit të ri parlamentar, kreu i opozitës, Edi Rama, i ka rikujtuar mazhorancës qeverisëse se PS është pro heqjes së imunitetit në Kuvend brenda shtatorit, por vetëm pasi të diskutohet paketa e ndryshimeve kushtetuese, të propozuara nga të majtët. Në një dalje publike nga selia rozë, kryesocialisti Rama e cilësoi si një lojë pa top propozimin e kryeministrit Berisha për organizimin e një referendumi për çështjen e imunitetit dhe nënvizoi se amendamentet e PS-së nuk janë kushte, por i japin më shumë siguri qytetarëve.
“Nesër nisin punimet e Parlamentit dhe presim të nisë dialogu për të gjitha ndryshimet kushtetuese që kemi propozuar. Jemi pro kufizimit të imuniteteve, sepse është varianti ynë. Jemi gati ta votojmë sapo të mbyllet diskutimi edhe për ndryshimet e tjera kushtetuese”, theksoi Rama. Sipas shefit të opozitës, nëse mazhoranca nuk i voton ndryshimet kushtetuese, shqiptarët duhet të gjykojnë me votë. “Është një arsye më shumë për të kuptuar se nuk jemi ne që bllokojmë integrimin, por është ky pushtet që duhet t’i hapë rrugë Shqipërisë dhe shqiptarëve për të shkuar sa më shpejt në BE”,- u shpreh ai, duke ritheksuar nevojën e votimit të paketës së ndryshimeve kushtetuese, që sipas tij do të shënonin një reformë themelore në drejtësi.
“Kemi paraqitur një paketë amendamentet kushtetuese që kanë të bëjnë me një reformë themelore të drejtësisë. Propozuam që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë të zgjidhen me 3/5 e votave, pra të marrë fund zgjedhja nga një parti e vetme e gjyqtarëve apo nga një njeri i vetëm siç ndodh sot. Nënvizoj se kjo nuk është shpikja jonë apo diktim i pakicës mbi shumicën, por mbështetur mbi Kushtetutën e vendeve demokratike. Propozuam që ministrat e deputetët të hetohen e gjykohen si qytetarët e zakonshëm, në gjykata të zakonshme e jo nga gjyqtarë që kanë emëruar vetë. Prandaj duhet votuar ky ndryshim thelbësor. Ndryshuam amendamentet për dekretet e presidentit që të mos rrinë me muaj në sirtarët e zonjës Jozefinë për t’u kthyer në pengje politike apo letra monetare. Prandaj duhen votuar edhe ky ndryshim kushtetues. Propozuam që rregullorja e parlamentit të miratohet me shumicë të cilësuar. Këto janë amendamente që i japin më shumë siguri qytetarëve që po vuajnë nga një drejtësi e korruptuar, por dhe një pushtet politik që korruptohet dhe korrupton”- u shpreh Rama.
Duke përmendur disa çështje të aktualitetit, si zjarret apo krimet në vend, kryesocialisti Rama akuzoi se shteti e ka braktisur detyrën. “Përveç zjarreve, Shqipëria po digjet përditë edhe në fillin e shpresës nga krimi i dalë jashtë kontrollit. Në 90 ditë, 158 shqiptarë kanë humbur jetën nga vrasjet, vjedhjet dhe aksidentet në rrugë. 220 të tjerë janë plagosur, nuk janë kaq të vrarë e të plagosur as në Irak dhe as në Afganistan. Zgjerimi i krimit është dëshmia më drithëruese se shteti e ka braktisur detyrën, në çdo fushë të jetës publike, ku të hedhësh sytë nxjerr të njëjtin konkluzion se shteti nuk funksionon”,- u shpreh Rama.
2 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)