Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, në deklaratë për media ka akuzuar qeverisë se e ka çuar vendin drejt humnerës financiare. Sipas Ramës ekonomia shqiptare nuk është rritur prej 5 vjetësh dhe biznesi i vogël është shkatërruar plotësisht.
“Jam sot këtu për t`ju thënë disa të vërteta dramatike që bazohen në shifrat zyrtare dhe ato janë shumë larg realitetit mbytës për sipërmarrjen e madhe dhe të vogël në Shqipëri. Që prej janarit të 2011 janë mbyllur 19 mijë biznese që do të thotë mbyllen 23 biznese në ditë, ose 1 në orë.
Ndërkohë të dhënat fiskale të 4 mujorit tregojnë se të ardhurat në buxhet nga TVSH, që është treguesi më domethënës janë më të ulëta në 5 vitet e fundit. Janë edhe më të ulëta sesa në 2009 kur kjo qeveri grabiti votat dhe i dha vetes një mandat të dytë, ndërkohë që vetëm prej inflacionit duhet të ishte 10 për qind më shumë. Ekonomia ka 5 vjet që nuk rritet asnjë milimetër por përkundrazi tkurret”, tha Rama.
Ai ftoi shqiptarët të votojnë PS dhe premtoi se në 100 ditët e para të qeverisjes do të hiqet taksa e biznesit të vogël dhe do të ketë përgjysmim të tatimit mbi fitimin për këtë biznes. “Për të rilindur ekonomia në 23 qershor ka vetëm një rrugë, votë për PS-në, për të vetmin program qeverisës që shpëton vendin nga kriza, hap rrugën për investime, nxjerr arsimin nga tuneli i errët dhe zgjidhjen e shumë problemeve të tjera që ka ky vend”, premtoi ai.
21 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)