Edi RamaLideri socialist, Edi Rama, ka ftuar për herë të tretë kreun e PD-së dhe partive të tjera parlamentare të takohen për arritjen e një zgjidhjeje demokratike për problemin e Qarkut Fier. “Rishpreh publikisht nevojën për të mbledhur sa më parë tryezën e partive parlamentare, duke shprehur bindjen se një tryezë e të gjitha forcave parlamentare qeverisëse dhe opozitare mund të prodhojë konsensusin e nevojshëm në këtë moment kur koha nuk pret.


Të gjithë ata që e dëshirojnë vërtet statusin e kandidatit për Shqipërinë kanë detyrimin të provojnë se Shqipëria jo thjesht dhe vetëm i miraton, por edhe i zbaton ligjet.


Kryetari i opozitës shpreh gatishmërinë e plotë për të përmbushur çdo detyrim të opozitës, por në të njëjtën kohë kryeministri nuk duhet t’i shmanget kurrsesi përmbushjes së detyrimeve të qeverisë”, ka deklaruar Rama. Kreu i selisë rozë ka ritheksuar edhe njëherë se palët duhet të bëjnë të pamundurën deri në orën e fundit.


“Zgjidhja e problemit të Qarkut Fier, përveç se do i hapte rrugë miratimit të tre akteve, do të ofronte edhe një shembull kuptimplotë për BE-në se qeveria dhe opozita shqiptare kanë vullnet të mirë për të miratuar, por edhe zbatuar ligjet. Duke dhënë zgjidhjen qeveria dhe opozita mund t’i drejtohen pastaj me një apel të përbashkët të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Europian në prag të vendimmarrjes për statusin e kandidatit për Shqipërinë”, ka thënë Rama. Kryetari i opozitës rithekson se problemin e Fierit e ka krijuar politika dhe mund e duhet ta zgjidhë politika. “I takon kryetarit të Partisë Demokratike, kryeministër i vendit, që ta pranojë detyrën për ta zgjidhur bashkë me opozitën problemin e Qarkut të Fierit, në frymën e ligjit, të dialogut të domosdoshëm dhe të vetë integrimit europian duke hapur kështu rrugën e miratimit të tre akteve”, ka përfunduar ai.


18 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)