Propozimi 


Muhamed Veliu “Top Channel”


Edi Rama & Muhamed VeliuGjatë një interviste për “Top Channel”, kryetari i PS-së, Edi Rama, shprehu mbështetjen e tij për paketën e propozuar nga Ilir Meta, që lidhet me miratimin e dy ligjeve dhe rregullores së Kuvendit. Sakaq, zoti Rama i dha përgjigje ministres së Integrimit, e cila dje deklaroi se dyshja Rama-Meta janë duke luajtur blofin me tri ligjet. “Qysh ditën e parë, kur kryetari i LSI-së ka dalë me një paketë kompromisi për të miratuar të tria ligjet dhe vendosur që ato të hynë në fuqi me Parlamentin e ri, ne jemi shprehur dakord. Mirëpo është e qartë që ka vetëm retorikë dhe propagandë të shfrenuar antiopozitare nga qeveria dhe me sa duket nuk ka në fakt asnjë vullnet për t’i miratuar këto tri ligje”, deklaroi Rama. Sipas kreut të opozitës, është  mazhoranca që duhet t’i çojë në Kuvend tri projektligjet. “Është shumica ajo që ka në dorë të marrë nismën të paraqesë në Kuvend propozimin e këtyre dokumenteve me propozimin e kompromisit të bërë nga LSI-ja, dhe pastaj vota e Kuvendit do të tregojë se kush ka ndërmend, çfarë dhe kush bën propagandë e kush në fakt është i interesuar drejtpërdrejtë për ecurinë e procesit”, sqaroi Rama. Dy ditë më parë, nga Gjirokastra, Kryeministri Berisha deklaroi: “Unë do t’i kërkoj Kryetares së Parlamentit dhe deputetëve të mi, që të votojnë që nesër. Ne kemi pritur mbi 200 ditë”, por Edi Rama mendon se e gjitha i nevojitet Berishës për propagandë elektorale. “Është e qartë që Kryeministri ka nevojë që këto tri ligjet të qëndrojnë të pavotuara për të mbushur çdo ditë topat e tij të fushatës elektorale, tanimë që i gjithë baruti i është lagur komplet, dhe për t’u përpjekur t’u tregojë shqiptarëve atë që asnjë nuk e beson, se gjithçka që ata po jetojnë në këtë papunësi, në këtë varfëri, në këtë dëshpërim social, lidhet me këto tri ligjet dhe opozitën”. E vërteta, theksoi Rama, është se shqiptarët janë shumë të vetëdijshëm që koha për rotacionin, është vetëm pak ditë përpara tyre dhe më 23 qershor ata do ta votojnë me votën e tyre përfundimisht rotacionin dhe fundin e këtij rrënimi të vazhdueshëm. Ndërsa për deklarimin e ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, se dyshja Rama Meta janë duke luajtur blofin me tri ligjet kryesocialisti bëri këtë koment: “Po pra është zonja Bregu dhe zoti Kodra-Saliu. Kodra mbas Bregut dhe bregu që del pas kodrës dhe prandaj shqiptarët më 23 qershor do ta lënë edhe kodrën edhe Bregun dhe do të vazhdojnë në det të hapur rrugëtimin e tyre drejt familjes europiane”. E ndërsa të gjithë aktorët kryesorë të politikës shqiptare shprehen të gatshëm sipas variantit të tyre për të miratuar dy ligjet dhe rregulloren e Parlamentit, mbetet pa përgjigje pyetja madhore që ngrihet përballë kësaj situate: se kur do të marrë fund pingpongu politik me këtë çështje?


 


Bregu: Dyshja e pazareve mban peng procesin


Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, akuzoi PS-në dhe LSI-në se po bëjnë pazare në kurriz të shqiptarëve në lidhje me miratimin e tri ligjeve që duhen për marrjen e statusit. “Dyshja e koalicionit të pazareve po kërkon një kamerdare shpëtimi nga anija që po mbytet, e që askush nuk e di se kë ka për kapiten”, tha Bregu, sipas së cilës PD-ja ka 230 ditë që bën apel për miratimin e tri ligjeve. “Shqiptarët vetëm këtë vit kanë 230 ditë që e shohin se Partia Demokratike dhe qeveria shqiptare i kanë bërë me qindra apele, ditë pas dite dhe orë pas ore, koalicionit të pazareve, për t’i votuar tri ligjet, kur të duan dhe si të duan. Ftojmë edhe njëherë opozitën t’i lërë mënjanë, një herë të vetme, blofet dhe pazaret në kurriz të shqiptarëve”, theksoi ministrja.