Rama: BSH të ngarkohet me llogaritjen e borxhit për të shmangur spekulimet


 


Partia Socialiste propozoi sot që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë një limit të ri ligjor për stokun e borxhit publik si dhe që Banka e Shqipërisë të ngarkohet me ligj për një llogaritje dhe raportim të pavarur në rast se qeveria spekulon dhe e shkel nivelin e borxhit.


 


Duke folur për mediat, kryetari Edi Rama tha: “Për të mbrojtur vlerën e librezës së kursimit të çdo familjeje, për të mbrojtur vlerën e rrogave, vlerën e pensioneve të pensionistëve të sotëm, apo vlerën e pensioneve të të punësuarve të sotëm dhe për ta shpëtuar vendin nga një katastrofë financiare, që mund të kthehet në realitet në të nesërmen e afërt, për shkak të heqjes së kufirit të borxhit publik, është shumë e rëndësishme që ne të biem dakord që praktikisht së pari ta përcaktojmë me ligj masën e borxhit”.


 


Kuvendi i Shqipërisë vendosi në vitin 2008 limit maksimal ligjor në masën 60 për qind të PBB-së për stokun e borxhit publik. Qeveria propozoi dhe miratoi në parlament shfuqizimin këtij limiti, ndërsa propozoi dhe miratoi një buxhet për vitin 2013 ku borxhi publik pritet të shkojë në masën 62.6 për qind të PBB-së sipas llogarive të qeverisë dhe rreth 64 për qind e PBB-së sipas llogarive të Fondit Monetar Ndërkombëtar. 1 për qind e PBB-së aktualisht është e barabartë me 100 milionë euro. Për të shmangur kakofoninë e shifrave dhe mundësinë që qeveria të spekulojë me llogaritjen e borxhit në përqindje me PBB-në, Partia Socialiste propozoi që bashkë me limitin e ri ligjor, në parlament të miratohet edhe një shtesë ligjore për mekanizmat kontrollues për t’u sanksionuar në ligj, që lidhen me kontrollin e borxhit.


 


“Mendoj që duhet të biem dakord që Banka e Shqipërisë të ngarkohet ligjërisht nga Kuvendi që ta llogarisë borxhin publik, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe Banka e Shqipërisë të detyrohet me ligj ta njoftojë Kuvendin në çdo rast kur Qeveria e shkel kufirin e borxhit publik. Banka e Shqipërisë të miratojë dhe të publikojë, siç ndodh në cdo vend normal, një kuadër shumë të qartë për mënyrën e llogaritjes së borxhit publik, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe sigurisht që mbi këtë bazë Qeveria jonë, nuk flasim më për këtë Qeveri që po numëron ditët, por çdo Qeveri më pas, të mos marrë asnjë rol arbitrar në kurriz të qytetarëve dhe në dëm të interesit kombëtar dhe publik, në raport me borxhin”, u shpreh kreu i PS-së.


Rama: Shqipëria humbi statusin, sepse qeveria e zhyti në korrupsion dhe nuk përmbushi 12 kriteret e BE


Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka akuzuar qeverinë për mosmarjen e statusit kandidat për Shqipërinë. Duke folur në mbledhjen e grupit të PS-së, Rama ka nënvizuar se qeveria e ka zhytur vendin në batakun e korrupsionit dhe nuk ka përmbushur asnjë nga kriteret e kërkuara nga Bashkimi Europian.


“Shqipëria e gjen veten sërish të refuzuar sepse nuk bën dot zgjedhje të lira dhe të ndershme, për shkak se vendi është mbytur në batakun e korrupsionit dhe s`ka luftuar krimin e organizuar dhe për shkak të rolit të qeverisë për mos përmbushjen e 12 kritereve të kërkuara nga Bashkimi Europian”,- tha Rama. Kryesocialisti i është përgjigjur edhe deklaratave të kryeministrit Berisha se opozita nuk paraqiti asnjë amendament për buxhetin e 2013-ës duke theksuar se e rëndësishme është administrimi i borxhit.


“Është e domosdoshme që ne të bien dakort për një ndryshim me rëndësi shumë të madhe që ka të bëjë me administrimin e borxhit. Të gjithë duhet ta kuptojnë që borxhi nuk është i shtetit dhe heqja e kufirit të borxhit duke e çuar mbi 62 për qind bie ndesh me interesin e çdo familje të zakonshme shqiptare. Vlera e kursimeve të tyre në lekë është cenuar drejtpërsëdrejti që prej momentit që borxhi ka kapërcyer mbi 62 për qind dhe tavani është hequr. Ne kërkojmë të përcaktojmë me ligj masën e borxhit dhe të mos lejomë një borxh pa asnjë tavan dhe e bëjmë këtë duke menduar se pas pak muajsh do të jemi ne që do ta qeverisim Shqipërinë” tha Rama.


Sipas tij buxheti i 2013-ës do e zhysë edhe më tej vendin në borxhe si dhe do të rrisë edhe më tej papunësinë. “Borxhi publik u rrit 2.2 miliardë lekë për 4 vite dhe është bërë i papërballueshëm për shoqërinë ndërsa shoqëria ka rënë 42 vende nga renditja e transparencës që kur kjo qeveri është ulur për ta qeverisur këtë vend me duar të pastra. Çfarë mund të thuhet kur kryeministri thotë se ka krijuar vende të padukshme punë  dhe INSTAT deklaron se gjatë 3 muajve të fundit janë ulur vendet e punës” tha Rama.


Duke iu referuar deklaratës mbi fshatin, Rama tha se kryeministri nuk e njeh aspak situatën në fshatin shqiptar, por vijon të bëjë deklarata të papërgjegjshme.


“Thotë Berisha që shkon Rama në fshat dhe poston foto me kërriçin, në fakt nuk ka kërriç që i afrohet sot me heroizma kryeministrit. Mjafton të kthesh sytë nga fshati sot të shohësh në çfarë gjendje është sot fshati dhe çfarë hendeku ka mes atyre që përshkruan kryeministri dhe atyre që jetojnë sot njerëzit në fshat. Ne dje ishim në fshatrat e Lushnjës, Beratit e Korçës, tregtarë që ishin në gjendjen më të keqe, që ka ndodhur ndonjëherë në gjithë këto vite”, tha Rama.


Ndërsa deputeti i PS-së Ditmir Bushati ka paraqitur përpara grupit parlamentar socialist vendimin e BE-së për të mos i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Sipas deputetit Bushati, BE-ja deklaron se ka pasur vetëm arritje në 4 fusha për të cilat opozita ka dhënë kontributin e saj. “Komisioni ka theksuar se Shqipëria ka bërë arritje në ato fusha ku roli i opozitës ka qenë vendimtar siç janë reforma zgjedhore, procesi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, përmirësimi  rrënjësor i ligjeve të mbetura me shumicë të cilësuar dhe kontributi ynë  për postet vakante për Gjykatën e Lartë”, u shpreh Bushati


11 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)