Kreu i PS-së
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, mori dje pjesë në manifestin “Unë jam FRESSH” të mbajtur në Lezhë, ku shprehu bindje se mundësitë e të rinjve në Shqipëri do të ishin më të mëdha pas qershorit të vitit të ardhshëm, kur PS-ja pret të qeverisë vendin. Sipas Ramës, PS-ja do të krijojë mundësitë që të rinjtë e këtij vendi t’ia dalin për t’u punësuar mbi bazën e talentit dhe aftësive të tyre, duke hedhur baza për një të ardhme më të mirë. “Ne duam t’u japim mundësi vajzave dhe djemve të këtij vendi që përmes talentit të tyre t’ia dalin. T’ia dalin për të fituar shkollën që duan, t’ia dalin për të bërë punën që duan, t’ia dalin për të ndërtuar jetën që duan”, theksoi Rama. Nga ana tjetër, ai theksoi se Shqipëria tashmë duhet të fitonte edhe luftën kundër korrupsionit, përveç asaj me papunësinë, varfërinë dhe injorancën. “Shqipëria e festoi 100-vjetorin e Pavarësisë. Por Shqipëria sot duhet të fitojë pavarësinë nga korrupsioni. Pavarësinë nga injoranca, pavarësinë nga varfëria dhe papunësia. Kjo është pavarësia që na duhet sot dhe për këtë pavarësi ne do të luftojmë së bashku dhe këtë pavarësi do e fitojmë duke e bërë vitin 2013 vitin e ndryshimit”, theksoi Rama. Sipas PS-së, manifesti i FRESSH, është një projekt interaktiv, për të bashkuar çdo të ri që do ndryshimin deri në fitoren e zgjedhjeve 2013 pranë forumit të të rinjve eurosocialistë.