“Nuk kam koment për raportin e OSBE-së. Me Metën, marrëdhëniet aspak problematike”
Kryeministri Edi Rama, në intervistën në “Top Story” me gazetarin Sokol Balla, deklaroi se nuk do të ketë ndryshime në qeveri. Ndërsa shprehet se për ligjin e dekriminalizimit do të tentohet konsensusi me opozitën. Ai flet për marrëdhënien me Metën dhe për raportin e OSBE-së.
Nuk është më e ndershme që të shkojnë në komision këto dy draftet për dekriminalizimin? Pak ditë më parë, në Komisionin e Jashtëm të PE-së u tha që duhet një ligj i hartuar nga të dyja palët.
Ne kemi bërë pjesën tonë në raport me fenomenin. E kemi bërë sepse e gjykojmë që kjo është gjëja e duhur. Rëndësi ka që ta finalizojmë dhe mbi draftin që kemi punuar jemi të gatshëm që të gjejmë konsensus me një kusht, që asnjë shpikje alla-shqiptarçe nuk pranohet.
Jeni gati të lëshoni pe për draftin? Ai neni për gjykatësit p.sh., dukej sikur ishte enkas për Ristanin, numrin dy të PD?
Asgjë s’është enkas, pastaj ligji s’është vetëm për sot, është edhe për nesër.
Keni një mazhorancë të madhe, por nuk keni votat për ndryshimet kushtetuese, si do t’i siguroni këto?
Nuk e dimë a i kemi apo jo votat për një shumicë kushtetuese, sepse Parlamenti është i larmishëm. Interesi ynë është që kjo të jetë një zgjidhje e përbashkët dhe votë e përbashkët me opozitën.
Anatemimi që i janë bërë një grupi deputetësh pas zgjedhjeve, rrjedha e ngjarjeve erdhi që të katërt këta deputetë, janë përfshirë në ngjarje që janë në proces, pra janë vërtetuar ato që ka thënë shtypi dhe opozita për të shkuarën e tyre kriminale. A ishit ju në dijeni për të shkuarën e tyre?
Unë nuk kam pasur dijeni që një deputet, pasi fituam zgjedhjet do ndërmerrte një operacion mediatik bazuar mbi halucinacione për organizimin e vrasjes së tij dhe një shoku të tij nga kryetari i Kuvendit, nuk kisha dijeni që një deputet tjetër do të shfaqej në një sherr ku do kërciste dhe armët në mes të qytetit, nuk kam pasur dijeni që një deputet i një partie tjetër të koalicionit do të shfaqej si i kërkuar nga drejtësia. Këto kanë ndodhur më pas. Ndërsa sa i takon deputetit që tha dorëheqjen, meriton respektin tim edhe për shpjegimet që dha. Ishte dorëheqje e vullnetshme pa asnjë lloj presioni që i bën nder atij vetë dhe që flet për një njeri që në momentin që flasim, meriton të respektohet.
Por organet e qeverisë suaj kanë qenë në dijeni për të shkuarën e tyre ama?
S’kisha dijeni kur kam bërë listën e deputetëve. Nëse do të ktheheshim sërish në 2013-n, unë përsëri do të bëja të njëjtën gjë, sepse nuk kam vendosur në listën e deputetëve dhe nuk i kam propozuar kryesisë së partisë një listë as me kriminelë, as me persona që kanë pasur të bëjnë me krimin. I kam propozuar njerëz që kanë qenë deputetë më parë, opozitarë si gjithë të tjerët dhe kanë qenë të respektuar në komunitetet e tyre. Kush bën sot virgjëreshën dhe kush vë alarmin sot, dhe kush mendon që shqiptarët kanë harruar ata që kanë nxjerrë pistoletën në mes të stadiumit dhe doli Kryeministri dhe tha që pistoleta ishte lodër, gabohet. Ne kemi një standard të qartë, kush mendon se me kostumin e ministrit mund të parkojë makinën ku të dojë, të sillet me detyrën si të dojë, të shkelë ligjin, merr atë që kanë marrë ata që sot janë të përjashtuar nga PS dhe janë në punët e tyre me drejtësinë. Ky është standard krejt i ri dhe virgjëreshat thonë që ata s’i kapin dhe ne i kapim. Një qeveri gjykohet jo nga çfarë ndodh, por si reagon ndaj atyre që ndodhin. Unë e kam thënë, ne nuk jemi të ndarë engjëj në të majtë dhe djajtë në të djathtë.
Kalojmë te rrjedhja në shtyp e një dokumenti të OSBE-së që kaloi me një mbrojtje të dobët nga ju, duke deklaruar se këto janë fakte të mbledhura nga shtypi. Por shumë kolegë të mi kanë vërejtur se këto gjëra nuk janë publikuar ndonjëherë në shtyp.
Nuk dua të komentoj për këtë, sepse si kryeministër mendoj se etikisht është një çështje, që duhet diskutuar mes nesh fillimisht dhe me organizatën më pas. Por roli i mediave, që e publikuan atë dokument, ka qenë skandaloz dhe kriminal. Për arsyen e thjeshtë, sepse e publikuan si raport konfidencial të OSBE-së, në një kohë që nuk ka qenë i tillë. Të marrësh përsipër të publikosh një dokument të asaj natyre, duke qenë i qartë se ajo që shkruhej aty ishte produkt i shtypit shqiptar dhe thashethemeve të tij, dhe ta quash raport konfidencial, në një kohë që nuk shkruhet aty, është kriminale, sepse i jep legjitimitet një misteri, sikur zbulon fije të jashtëzakonshme që gjithë këta njerëz janë lidhur me krimin.
“Top Channel” ka nxjerrë para pak vitesh një copë letër “Presheva Talking Points”, që në fakt rezultoi i vërtetë…
Ama e vërtetuat, sepse etika e një media, kur ka një dokument të tillë, është që të marrë verifikimin përpara se ta botojë, duke u këshilluar edhe me vetë organizatën. Nuk duhej shitur si diçka e provuar, një gjë që nuk është e verifikuar, sepse ajo përhapet në Kosovë, Greqi, Itali, Maqedoni e në botë, duke përhapur një imazh tepër të keq për Shqipërinë. Sigurisht që politika nuk është arena ku vallëzojnë engjëjt, e si çdo fushë tjetër ka edhe pjesën e vet të pakontaminuar, sikurse edhe atë të kontaminuarën, ka edhe pragmatistë e të korruptuar, si çdo fushë tjetër, por nëse do të bënit një skanim moral dhe etik, mos mendoni kurrë se media do të dilte më pak e ndotur moralisht dhe etikisht se politika.
Morali është individual, ndërsa sa i përket shkeljes së ligjit, atëherë kapini dhe nxirrini para ligjit shkelësit.
Lidhur me raportin, jo publikimi që është legjitim, por mënyra e publikimit është kriminale. Është mashtrim i opinionit publik, sepse ke marrë një dokument dhe i ke vënë epitetin konfidencial. Nuk është raport sekret, diçka e pavërtetuar e tillë.
Edhe OSBE e quajti material për konsum të brendshëm, duke i bërë një mbrojtje të vakët.
Nuk dua t’i bëj koment qëndrimit të OSBE-së.
Po raporti konfidencial që doli në lidhje me një aferë në CEZ, që përfshinte edhe aleatin tuaj më të madh? A nuk ju duket kjo si një sulm i koordinuar për të përçarë qeverinë?
Nuk besoj se ka ndonjë komplot të madh kundër qeverisë këtu, por ka një paaftësi të madhe që kthehet në një barrë të madhe ndaj popullit me keqinformimin që bëhet. Duket sikur kush do që ta nxijë Ilir Metën, ka të gjitha mundësitë që ta bëjë, kush do që të përfitojë nga kjo politikisht, e bën sipas dëshirës së vet. Por askush nuk ka dhënë një version zyrtar mbi çështjen, sepse shefja e zyrës sime në këtë diskutim të përhapur nga BIRN, ka thënë se “nuk është përmendur specifikisht emri i Ilir Metës”.
Meta deklaroi se ishte larë në të njëjtin det me ju. Ju u përgjigjët një ditë më vonë se, me të do të takoheshit kur të mbaronin pushimet. A jeni takuar?
Vera ka kaluar dhe bashkë me të kanë ikur edhe retë, që ngritën avujt e kësaj vere.
Si shkoi takimi i parë me Metën, pas tre muajsh pa u takuar me të?
Kush tha që nuk jam takuar? Marrëdhëniet e mia me të janë shumë të mira dhe aspak problematike, sa për të lexuar mediat apo intervistat, që të kuptojmë që mes nesh paska probleme.
A kanë ndërkombëtarët probleme me Ilir Metën, si njeri politik?
Ndërkombëtarët kanë shumë respekt, për mënyrën sesi Ilir Meta drejton Kuvendin e Shqipërisë.
Keni lënë përshtypje këta muajt e fundit se takoheni më shpesh me Vuçiçin, sesa me Metën.
Duhet të bënit një batutë më të mirë sesa kaq.
Keni një deklaratë të Presidentit drejtuar jush, në lidhje me mënyrën sesi po e drejtoni marrëdhënien mes Shqipërisë e Serbisë, kur në mes është edhe Kosova.
Po të ma kishit thënë ju apo ndonjë gazetar tjetër, do të thoja çfarë batute jeni duke bërë, por meqë e pashë vetë çfarë tha, po i qëndroj vendimit tim për të mos replikuar me institucionin e Presidencës në publik, për t’i dhënë fund një epoke të kaluar, kur Kryeministri i thoshte Presidentit dhe Kryeprokurores “horr dhe lavire bulevardi”. Çfarë ka bërë Shqipëria në politikën e jashtme në këto dy vite dhe në raport me rolin e saj në rajon, por edhe çuarjen përpara të axhendës së bashkëpunimit rajonal, është një model për të cilin duhet të jem unë krenar, por edhe ne të gjithë krenarë. Kemi marrë një imazh të ri si komb dhe si shtet, që ka interesa dhe që i mbron ato pa bërë koniunkturat e rastit. Afrimi ynë me Serbinë dhe ndërtimi pak nga pak i partneritetit serioz me Serbinë do të sjellë përfitime për shqiptarët dhe serbët, ashtu siç kanë përfituar edhe deri më sot, si një nga zgjidhjet më të mira për gjeneratat e ardhshme.
Do ta ftoni Kryeministrin serb Vuçiç për ndeshjen e tetorit?
Unë e kam ftuar dhe ai e ka pranuar ftesën për të qenë i pranishëm në “Elbasan Arena”. Madje ai tha se “ne do të fitojmë në Tiranë”, ndërsa unë iu përgjigja se “nuk e vendoste ai se kush do të fitonte, as që do të fitonte ai, por do të fitonin djemtë në fushë dhe ne do të duartrokisnim fituesin”. Ka pranuar dhe deri më tani është në fuqi ardhja e tij.
Por për Presidenten Jahjaga nuk e keni bërë një ftesë të tillë.
Nuk ka asnjë problem dhe janë të ftuar të vijnë të gjithë liderët e rajonit.
Thuhet se ju e keni një armik në vëzhgim Presidentin dhe dyshohet se e keni vënë në përgjim.
Nuk dua të bëj replika, por besoj se kjo është një ëndërr e keqe, prej së cilës Presidenti i ka të gjitha rrugët për t’u çliruar, sepse aty i ka dhe mund t’i bëjë hetimet nëpërmjet Shërbimit të Inteligjencës apo Prokurorit të Përgjithshëm.
Në Presidencë ka pasur përgjithësisht emra që kanë ardhur nga e djathta, ndërkohë që nga e majta kanë qenë vetëm zoti Rexhep Mejdani dhe Ramiz Alia, për shumë pak kohë. A do të ketë një President Shqipëria, të paktën të propozuar nga e majta?
Është shumë herët të flasim për këtë, sepse çdo mundësi për të dalë në një intervistë në një media të tillë, me një audiencë kaq të madhe, do të ishte më mirë ta shfrytëzonim të flisnim për çështje që i përkasin më shumë popullit, si varfëria, ekonomia etj., dhe jo të merremi me gjëra të tilla, kur ka ende kohë për të shkuar deri atje.
Në një email që doli në shtyp kishte shumë kritika të ashpra nga ana juaj ndaj ministrave.. kritika?
Shumë e vërtetë.
Do bëni ndryshime në qeveri?
Kush nuk ka luajtur sport dhe nuk ka qenë kurrë prezent në pushimin e një ndeshjeje ku trajneri të thotë që në pjesën tjetër skuadra duhet të performojë më mirë, nuk kupton gjë fare çfarë do të thotë skuadër. Mendoj po shkon ashtu siç duhet, edhe pse nuk është aty ku duhet, për herë të parë Shqipëria të ketë një qeveri që është skuadër dhe funksionojmë si skuadër. Jemi në kushtet e një dokumenti dhe kam dhe të tjera si ai email-i që komunikoj me ministrat. Për të motivuar, për të nxitur dhe për të vënë pikat mbi “i” trajneri gjen agresivitetin e nevojshëm për të shtyrë përpara skuadrën.
Ndryshime në qeveri nuk do të ketë?
Jo.