Debatet mbi ushtrinë, statusi dhe reformat në qendër të bisedës


Rama & Arvizu per here te funditKryeministri Edi Rama zhvilloi dje një takim informal me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian të akredituar në Tiranë. Takimi mësohet se u mbajt në orët e para të mëngjesit në ambientet e vilës qeveritare nr. 30 dhe në të u diskutua për aktualitetin politik dhe për testin e radhës që Shqipëria do të duhet të përballet në qershor në kërkim të statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. Pavarësisht se zyra e shtypit të Kryeministrisë nuk prononcohet në lidhje me këtë takim, burimet bëjnë të ditur se ambasadorët kanë theksuar nevojën e bashkëpunimit të forcave politike për reformat e përbashkëta në një kohë kur polarizimi politik ka ardhur në rritje. Ky takim i Kryeministrit Rama me ambasadorët e vendeve europiane, vjen një ditë pasi një përfaqësi e rëndësishme e tyre zhvilloi një takim me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Duket se mes çështjeve që i shqetësojnë ambasadorët në momentin aktual janë akuzat e rënda që bëhen nga opozita në drejtim të mazhorancës, për sa i përket transportit të supozuar të lëndëve narkotike me mjetet dhe resurset e Forcave të Armatosura Shqiptare. Një akuzë e tillë bërë për një vend i cili është anëtar i NATO-s sjell shqetësim dhe për vendet e tjera pjesë të aleancës dhe rrezikon në mënyrë serioze reputacionin e Shqipërisë në Europë dhe më gjerë. Po kështu, për ambasadorët shqetësuese është dhe situata kur një reformë e rëndësishme siç është ajo territoriale po zhvillohet pa praninë e opozitës, gjë e cila mund të gjenerojë në akuza të minorancës për sa i përket ndarjes së territorit mbi llogari elektorale. Reformat që pritet të kryhen në sistemin e drejtësisë dhe për antikorrupsionin kanë qenë gjithashtu të rëndësishme për sa i përket imazhit të Shqipërisë dhe aspiratave të saj për të ecur përpara në rrugën e integrimit.