Edi RamaKryeministri  Edi Rama është takuar sot me fermerët e zonës së Zharrës në Patos të Fierit dhe iu premtoi atyre se qeveria do jetë garant që fermerët të marrin kredi të buta dhe se vlera e kësaj kredie është 300 milion euro. Sipas Ramës,  fermeri mund të marrë 50 milion euro në vit.


“Tani në dorë ne kemi të ndihmojmë dhe të bashkëpunojmë për të rritur kreditimin në bujqësi, financimin e familjeve fermerëve përmes fondit kombëtar të garancisë që shteti e ka vënë në shërbim të fermerëve në bashkëpunim me Bankën Europiane për Rindërtim e Zhvillim për marrje kredie me interesa të ulëta të garantuara nga shteti. Rezerva që është në dispozicion është 300 milion euro dhe mundësia për të marrë është 50 milion euro në vit” tha Rama.


Ju bëj apel bashkive të reja që në shërbim të fermerëve të vënë në dispozicion të tyre staf të kualifikuar, ndërkohë që këtyre të fundit të paraqesin projekte të sakta në mënyrë që të përfitojnë nga këto fonde të dhëna. Bashkitë e reja duhet të përqendrohen seriozisht me njerëz të përkushtuar. Dua të sensibilizoj ata që punojnë në fshat, për këtë mundësi, duke pasur parasysh se edhe bankat nuk i japin paratë symbyllur, pasi duan projekt dhe bindje, gjë për të cilën do të jetë në mes shteti përmes AZHBR. BE financon në mënyrë bujare, por ka kusht të panegociueshëm , financon në bazë projektesh bindëse.


Mbetet për tu bërë punë kolosale për të kapërcyer një epokë që ishte e përqëndruar tek krahët e familjes dhe tek të ardhurat nga emigracioni dhe shpresa se do vinte në ndihmë ndonjë thërrime nga subvencionet e shtetit që kanë qenë minimale. Për tu futur në një epokë ku falë reformës administrativo-territoriale bashkitë të shërbejnë si urë komunikimi mes qeverisë e fermerëve dhe këta të fundit ti kthejnë sytë në dy drejtime: Programeve të financimit nga bankat dhe të Programeve të financimit nga BE. Për të kaluar nga puna e përditshme me tokën si një punë e detyruar tek transformimi i familjes fermerë në biznes duhet të investohet në kapacitete’,  tha Rama.


 


2 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)