Gjendja e biznesit të vogël, rënia e fuqisë blerëse, rritja e taksave, por edhe çfarë Partia Socialiste do të bëjë në rast fitoreje në zgjedhjet e vitit 2013, kanë qenë në qendër të bashkëbisedimeve që kryesocialisti Edi Ramës ka zhvilluar me biznese të vogla të njësisë bashkiake nr. 7 në kryeqytet. Kryetari socialist duke biseduar me drejtuesit e këtyre bizneseve është shprehur se i konsideron këto aktiviteteve si vetëpunësim dhe se me të ardhur në krye të punëve të vendit, gjëja e parë që do të bëjë do të jetë zerimi i taksës së biznesit të vogël.


Tregtarët e njësisë 7 janë shprehur se gjendja e tyre sa po vjen e vështirësohet. “Taksat janë rritur 70 mijë lekë, qarkullojmë me xhiron, jo me fitimin. S’ka bërë vaki, unë kam 20 vjet që merrem me tregti. 20 vjet si sivjet kurrë s’ka bërë vaki. Çfarë të bëjmë, rrimë qarkullojmë me xhiron, jo me fitimin. Ja shih e shkruaj. Taksat, mua më janë shtuar 70 mijë lekë dhe sigurimet shoqërore ishin shtuar me 8 mijë lekë”, është ankuar një tregtare.


Gjatë bisedave me tregtarët e vegjël, Rama është shprehur se për shtetin heqja e taksës së biznesit të vogël ka një kosto në buxhet minus 30 milion dollarë, por janë dhjetëra mijëra familje që duhet ndihmuar për ta rigjeneruar këtë biznes në të gjithë vendin. “Gjithë të ardhurat e shtetit nga biznesi vogël në total janë 30 milion dollar, që është 0.5% e të ardhurave nga taksat. Ne do ta heqim taksën e biznesi të vogël do ta bëjmë zero dhe këto 30 milion do ti kompensojmë në rrugë tjetër, nuk do t’ia marrim biznesit të vogël, sepse vërtet janë 0.5% e buxhetit, por janë dhjetëra mijëra familje të vetëpunësuara me biznesin e vogël,” përfundoi kryesocialisti.


4 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)