Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar takime me fermerë të rrethit të Tiranës, të cilëve u ka premtuar pesëfishimin e investimeve në fshat kur PS të vijë në pushtet.


“Ne nuk premtojmë mrekulli, por angazhohemi që së pari të pesëfishojmë investimin e shtetit për fshatin. Dhe me këtë investim të zgjidhim problemin e ujitjes, e kullimit, të ulim koston e prodhimit në mënyrë që të rrisim fitimin dhe interesin për të punuar tokën, duke hequr TVSH-në, duke pasur një skemë të favorshme për naftën dhe duke krijuar rrugët për çuarjen e prodhimit në treg. Një qeveri që nuk bën këto, s’ka lidhje me fshatin”, ka thënë Rama.


Nga ana e tyre, fermerët kanë paraqitur problemet që hasin çdo ditë. “Mungon uji për vaditje, sepse liqeni që shërbente për këtë punë, që prej vitit 1975 kur është ndërtuar, nuk është pastruar më dhe është mbushur me prurjet e përrenjve”, ka thënë një prej tyre.

Ata kanë ngritur edhe shqetësimin e rritjes së çmimit të karburantit, çka sipas tyre e rrit shumë koston e prodhimeve, që në fund mezi arrijnë t’i shesin për të mbijetuar.


Kryesocialisti Rama ka nënvizuar se gjendja aktuale e fshatit është e patolerueshme dhe se PS do ta ndryshojë atë, duke e pasur fshatin në qendër të vëmendjes së qeverisë së saj.


“Ne nuk e kërkojmë votën tuaj që të ndryshojmë një kryeministër me një kryeministër më të gjatë dhe as ministrat e tanishëm me disa të tjerë. Ne e kërkojmë votën që të ndryshojmë së bashku këtë gjendje të mjerueshme. Mjafton të kalosh kufirin nga deti dhe toka dhe e kupton që jemi izoluar në një situatë mesjetare në fshat”, ka theksuar Rama.

23 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)