Fushata e të rinjve eurosocialiste u ndal në Elbasan, prej nga ku Edi Rama kërkoi përfshirjen e sa më shumë qytetarëve në përpjekjen, siç e cilësoi ai për një Rilindje Shqiptare.
Për zotin Rama, kjo Rilindje është e mundshme dhe do të bëhet realitet nga bashkimi me qytetarët e thjeshtë, me ata që sipas tij po ndiejnë gjithmonë e më shumë morsën shtypëse të një pushteti që mendon veç për xhepat.
“Asgjë nuk do të jetë më njësoj pasi të fitojmë në 2013, nëse ne e realizojmë fitoren përmes rrugës së shtrirjes së dorës dhe të dëgjimit të atyre që kemi rreth e rrotull, e komunikimit me ta për të thënë se Shqipëria mund të bëhet, Shqipëria europiane që ne duam do të bëhet”, – deklaroi kryesocialisti Rama.
Sipas liderit te opozitës, kjo është një betejë për një Shqipëri më të mirë, për një Shqipëri që të ketë vend për çdo qytetar të sajin, duke u dhënë atyre mundësi për të jetuar të lirë e në mirëqenie. Në takim merrnin pjesë edhe deputeti Ben Blushi, Taulant Balla, e sekretari për rininë, Erjon Veliaj.
“Zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të jenë një koncept. Secili nga ne duhet të ketë një biletë, vota e vitit do të jetë një biletë për një Shqipëri më të mirë dhe të drejtë, arsim më publik, Shqipëria më të bukur. Megjithatë, pasja e një bilete nuk mund të mjaftojë, sepse secili prej nesh duhet të shpërndajë një biletë për të bërë atë Shqipëri që ne duam”, deklaroi Blushi.
14 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)