Kreu i PS Edi Rama i bëri edhe një herë thirrje për reflektim qeverisë dhe kryeministrit që të rikthejë ligjshmërinë në KQZ.
Deklarata e kreut të PS u bë pas përfundimit të takimit me raporterët e KiE të cilët mbërritën dje në vendin tonë.
“Është hedhur ne erë KQZ dhe për sa na takon në kuptimin e betejës elektorale dhe në ballafaqim me kundërshtarin e vetmuar dhe në panik, le ta marrë KQZ në shtëpi. Ky nuk është problemi ynë, por është problem i vendit tonë pas 23 qershorit se, pavarësisht se ne do t’i fitojmë zgjedhjet, në sytë e partnerëve ndërkombëtarë, të Europës dhe SHBA vendi ynë do të jetë i njollosur mbi turpin që po i lë në fytyrë kryeministri dhe kjo shumicë pa shumicë”, tha Rama.
Rama u shpreh më tej se kodi zgjedhor i miratuar me konsensus që tregon se KQZ nuk është instrument i asnjë partie dhe as varet nga kuvendi, është shkelur me të katër këmbët e kësaj shumice që ka ngelur në duart e 3 mercenarëve.
18 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)