Partia Socialiste ka nisur ditën e sotme fushatën ‘Unë jam FRESH’, duke iu kushtuar të rinjve dhe rolit të tyre në politikën e së ardhmes. Në mes të rinjve të shumtë socialistë, fjalën e hapjes e mori deputeti i PS, Pandeli Majko i cili u bëri thirrje të rinjve të përqendrohen tek e tashmja e vështirë nën qeverisjen aktuale, e cila duhet ndryshuar një orë e më parë, sipas Majkos.
Në fjalën e tij përpara të rinjve, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama përshëndeti manifestin e FRESH duke shprehur besimin e tij tek rinia shqiptare, e cila sipas kreut të PS ka ditur të bëjë dallimin mes PS dhe “atyre që sundojnë me vota të vjedhura”.
“Më vjen mirë që ju këtu arrini të shihni dhe bëni dallimin mes nesh dhe atyre që sundojnë me vota të vjedhura. Besoj tek rinia shqiptare dhe ky besim reflektohet në gjithë rrugëtimin e PS dhe në këtë forum të ripërtërirë përmes zgjedhjeve dhe hapjes se dyerve për më shumë të reja e të rinj. Pa dyshim, dhe këtu është një vijë që na ndan qartë, ata që sot na qeverisin përmes mungesës së idealit dhe ne që do fitojmë për Shqipërinë që duam”, tha kreu i PS.
Kreu i PS u bëri thirrje të rinjve të jenë gjithmonë aktivë dhe të pranishëm në politikë, pasi më shumë se kurrë sipas tij PS ka nevojë për frymën e re në mënyrë që të bëhen zëdhënës të kësaj partie kudo.
“Sot më shumë se asnjëherë PS ka nevojë për secilin prej jush, por ka nevojë që ju të bëheni zëdhënës të saj, në çdo komunitet, dhe duke u shumëfishuar. Në ditën e fitores sa më shumë të jeni në numër, fitorja është e mundur, sa më shumë të jeni, aq më shumë do të dëgjohet zëri juaj dhe ky forum, dhe ju të gjithë së bashku të mbeteni avokatët e mëdhenj të këtij manifesti, dokumenti vlerash”, u shpreh lideri socialist.
30 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)