bizhgaKryeministri i zgjedhur Edi Rama ka vijuar me prezantimin e anëtarëve të skuadrës së tij. Nëpërmjet rrjeteve sociale, Rama ka bërë të ditur se drejtoresha e kabinetit të kryeministrit të ri do të jetë Vali Bizhga, ish-nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, në kohën kur drejtohej nga kryesocialisti. Gruaja e cila për vite radhë punoi e luftoi krah Ramës, sipas kreut të PS, ka fituar gjithashtu një betejë tjetër të madhe me një sëmundje të keqe.


“Është kënaqësi dhe nder t’ju prezantoj Drejtoren e Kabinetit tim në kryeministri, Vali Bizhgën. Me Valin kemi punuar krah për krah për shumë vite në Bashkinë e Tiranës, ku kam pasur privilegjin ta kem zëvendësen time dhe më pas Drejtore të Kabinetit të Kryetarit të Bashkisë. Por kemi ndarë së bashku edhe përpjekjet dhe emocionet e disa fushatave, ku Vali ka luajtur prapa kuintave rolin kyç të Drejtorit Ekzekutiv të fushatës. Një betejë më e rëndësishme për të, ajo me një kancer të shfaqur befas në formë agresive, e shkëputi lidhjen tonë të punës për aq sa kohë iu desh Valit ta fitonte betejën më të vështirë të jetës së vet.


Tashmë, ajo është rikthyer në fushën e kahershme të përpjekjes sonë të përbashkët për të bërë punë të mira për vendin e njerëzit, e do të mbulojë me profesionalizmin, pastërtinë dhe përkushtimin e saj të posaçëm në komunikimin me njerëzit, një detyrë ku pa asnjë dyshim do vendosë një standard të ri”, shkruan Rama në Facebook e Tëitter.


19 gusht 2013 (gazeta-Shqip.com)