Kreu i opozitës, Edi Rama është takuar pasditen e së mërkurës me banorët e njësisë numër 4 të kryeqytetit, me të cilët ka biseduar për zgjedhjet e 23 qershorit, duke promovuar programin e opozitës.
“Programi për rilindjen është më i detajuari që një parti ka pasur në 20 vjet. Programi ynë vjen në formën e një kontrate me qytetarin dhe jo si një listë”, ka deklaruar Rama. Lideri i opozitës u ka bërë thirrje qytetarëve që më 23 qershor të dalin në zgjedhje, në mënyrë që t’i thonë jo rrënimit që sipas tij po u shkakton regjimi aktual.
“Duke ndenjur në shtëpi më 23 qershor, njerëzit pranojnë rrënimin e mëtejshëm. Ndërsa duke shkuar në votim, njerëzit votojnë për ta ndryshuar taksimin e sheshtë dhe për të vendosur taksimin e ndershëm: kush fiton më pak paguan më pak dhe kush fiton më shumë paguan më shumë”, tha Rama.
Ai ka vlerësuar se sot Shqipëria ka nevojë për një sistem të ri ku shërbimet të jepen sipas nevojës, si dhe për frenimin e kriminalitetit që ka marrë rrugët.
“Gjithashtu, ne do të rivendosim rendin, pasi sot është krimi që vendos ligjin e xhunglës në rrugët e vendit. Brenda 300 ditësh ne do t’i japim policisë dinjitetin që ia kanë marrë e ia kanë shkelur”, ka shtuar Rama.
1 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)