Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, ka apeluar sërish politikën shqiptare të bashkëpunojë për integrimin ndërsa i cilësoi si jo etike debatet e zhvilluara dje në sallën e Kuvendit. Në një konferencë për shtyp nga selia e LSI-së, Rama theksoi se gjuha e përdorur në sallën e parlamentit ishte një zhargon vulgar.
“Shpreh keqardhje dhe indinjatë për gjuhën e rëndë dhe për zhargonin vulgar të përdorur dje gjatë seancës së zhvillimit të punimeve të Kuvendit të Shqipërisë, çka për fat të keq dëshmon sërish se standardi i reflektimit me përgjegjshmëri dhe në përputhje me frymën që kërkon i gjithë procesi i integrimit evropian lë për të dëshiruar. Lëvizja Socialiste për Integrim distancohet nga sjellje të tilla që nuk kanë asgjë të përbashkët me etikën parlamentare, me etikën qytetare dhe me frymën evropiane të partneritetit midis faktorësh dhe aktorësh të rëndësishëm politikë në jetën parlamentare”, tha Luan Rama.
Ai ka theksuar se politika duhet të lërë mënjanë gjuhën e vjetër dhe të punojë për të përmbushur detyrat e lëna nga Bashkimi Europian, por edhe nga SHBA-ja, për marrjen e plotë të statusit kandidat. “Ne, politika shqiptare duhet të distancohet, duhet të lërë mënjanë gjuhën e vjetër, mentalitetin e vjetër dhe të shfaqet me përgjegjshmëri të plotë në përputhje edhe me mesazhet që vijnë nga partnerët tanë ndërkombëtarë, me mesazhet që vijnë nga Bashkimi Europian, me mesazhet që vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar që pret nga Shqipëria, dhe në mënyrë të veçantë nga klasa politike sjellje, qëndrime dhe veprime dinjitoze në përputhje me interesat europiane të vendit. Është padyshim e rëndësishme dhe shumë bukur që Kuvendi i Shqipërisë duartroket Sekretaren e Shtetit, znj. Clinton, kur flet në sallën e Kuvendit por vetëm duartrokitja nuk mjafton” nënvizoi Rama.
Sipas tij klasa politike duhet të gjejë pikat e takimit dhe t`i kontribuojë procesit të integrimit. “Apeloj të gjithë përfaqësuesit e shqiptarëve në sallën e Kuvendit të ngrihen në nivelin e përgjegjësive të mandatit që përfaqësojnë, të ngrihen në nivelin e misionit të rëndësishëm që kanë që t’i kontribuojnë krijimit të një klime politike bashkëpunimi dhe partneriteti jashtë çdo paragjykimi dhe larg zhargoneve, fyerjeve, shpifjeve apo gjuhës që nuk ka asgjë të përbashkët me standardet e sjelljes evropiane. Europa nuk është vetëm një bashkësi apo institucioni ku ne duam të integrohemi. Europa para së gjithash është standard, standard qytetarie, standard etik, është standard përgjegjshmërie për të punuar në raport dhe në përputhje me interesat e qytetarëve. Shqipëria evropiane ka nevojë për sjellje evropiane edhe të politikanë të saj”, përfundoi ai.
9 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)