Këshilli Europian për Politikë të Jashtme boton raportin vjetor


Akuzat – “Në këtë kontekst, Brukseli nuk ka zgjedhje, por do të bashkëpunojë me liderët lokalë si Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, dhe Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, i cili polarizon opinionin publik dhe janë të akuzuar për uzurpim të pushtetit”


berisha gruevskiNjë raport i ri i publikuar për Shqipërinë ka kritika të forta ndaj qeverisë, përkatësisht ndaj Kryeministrit Sali Berisha. Bëhet fjalë për raportin vjetor të European Council on Freign Relations, që është një think-tank i mirënjohur paneuropian, në të cilin theksohet se polarizimi midis Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, dhe kreut të opozitës, Edi Rama, mbetet i lartë. Në raportin me plot 151 faqe, theksohet se në Shqipëri opozita dhe mazhoranca kaluan pjesërisht bllokimin, por për shkak të polarizimit 3 ligjet e integrimit nuk janë miratuar në Kuvendin e Shqipërisë. Raporti i EUFR vë theksin se nxitja për demokratizimin dhe përmirësimin e standardeve të qeverisjes është një sfidë e vështirë për BE-në, kur nga ana tjetër ekziston një deficit i vullnetit politik. Në këtë kontekst, Brukseli nuk ka zgjedhje, por do të bashkëpunojë me liderët lokalë si Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, dhe Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, i cili polarizon opinionin publik dhe janë të akuzuar për uzurpim të pushtetit. Në këtë dokument theksohet se raporti i Komisionit Europian rekomandoi që Shqipërisë t’i jepej statusi i kushtëzuar i vendit kandidat në Bashkimin Europian, por Këshilli Europian e shtyu në dhjetor.


Kosova e Serbia


Raporti i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme duke folur për Kosovën vlerëson se ishte një sukses viti 2012, meqenëse ndërmjetësimi i BE-s për bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës solli frytet e tij.  Gjithashtu, marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit goditi në dhjetor 2011 duke ndihmuar Serbinë për t’u kualifikuar për kandidimin në BE. Bisedimet u rifilluan në tetor duke u ndjekur me zgjedhjet parlamentare prill/maj.


Raporti sjell në vëmendje hapin e Përfaqësueses së Lartë, Catherine Ashton, për ndërmjetësimin e takimit mes kryeministrave Hashim Thaçi dhe atij serb, Ivica Daçiç. “Ashton ndërmori një takim të paprecedentë me kryeministrat, Ivica Daçiç dhe Hashim Thaçi, ndjekur nga një tjetër takim në nëntor. Megjithatë, ekzistojnë pyetje të vazhdueshme nëse dhe kabineti Daçiç do të jetë në gjendje të zbatojë marrëveshjen e MIK-së dhe të bëjë hapa të mëtejshëm të nevojshëm”, thuhet në raportin e BE-së. BE-ja i ka kërkuar Serbisë të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën “si një parakusht për hapjen e bisedimeve të pranimit, por ka ende për t’u përcaktuar. Austria, Holanda, Gjermania, Britania e Madhe kanë shtruar presion ndaj Serbisë që të njohë zyrtarisht Kosovën.


 


Komisionieri, mesazh në gjuhën shqipe


Fule: Zgjedhjet s’i japin zgjidhje kompromisit


Stefan FyleKomisioneri për Zgjerimin e BE-së, Stefan Fule, dy ditë përpara mbërritjes në Tiranë ka folur dhe një herë për situatën politike në Shqipëri ku nuk ka ende një kompromis politik për tre ligjet e kërkuara nga KE-ja si kusht për marrjen e statusit të vendit  kandidat. Apelin në adresë të klasës politike Fule e ka lëshuar nëpërmjet rrjetit social, Twitter. “Zgjedhjet janë të rëndësishme, por nuk zgjidhin çështje kritike: si mungesën e kulturës së kompromisit dhe mungesën e përfshirjes”, shkruan Fule në “Twitter” në gjuhën angleze dhe në shqip. Komisionieri i lartë pritet të zhvillojë takime të ngjeshura të hënën, mes dy liderëve kryesorë të politikës, Sali Berisha i PD-së dhe Edi Rama i PS-së. Tre ligjet shihen si një nga kushtet kryesore, ndërsa opozita  nga ana e saj ka vënë kushtin për të zgjidhur më parë Qarkun e Fierit, zbatimin e vendimeve të gjykatave. Fule e shpalli vizitën e tij në Tiranë disa ditë më parë pas Konferencës për Ballkanin, që u zhvillua në Parlamentin Europian. Komisionieri beson dhe shpreson  se bisedat e tij të drejtpërdrejta me politikanët shqiptarë, do t’i japin një shtysë procesit të integrimit. “Unë jam shumë i interesuar që së shpejti të mund të diskutoj vetë me politikanët në Shqipëri, sepse koha po kalon. Nëse duam një raport pozitiv nga Komisioni Europian për vendet anëtare, atëherë nevojitet miratimi i tre kushteve dhe kjo duhet bërë sa më shpejt”, u shpreh Fule.


BLEDAR HOTI