Raporti i misionit faktmbledhës i raportuesve të Këshillit të Europës, Tomáš Jirsa dhe Grigore Petrenco i cili është mbajtur gjatë qëndrimit të tyre në Tiranë nga data 2-4 prill të këtij viti, bën apel për zgjedhjen e një presidenti konsensual në Shqipëri. Veç kësaj çështjeje, raporti përfshin edhe sugjerime të tjera që lidhen me reformën parlamentare, atë zgjedhore, heqjen e imuniteteve dhe hetimin e vrasjes së 4 protestuesve në 21 janar 2011.
Në raportin prej 7 faqesh, sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit të ri, raportuesit e KiE-së thonë se “zgjedhja e kreut të shtetit mund të luajë një rol të rëndësishëm në normalizimin e klimës politike në Shqipëri. Është e rëndësishme që procesi i zgjedhjes së presidentit të mos kthehet në një burim tensioni dhe bllokimi politik. Forcat më të mëdha politike duhet të përpiqen për të mbërritur deri tek një marrëveshje konsensuale, ose të paktën në pranimin e përbashkët të një kandidature për postin e presidentit”.
Duke analizuar emrat e përfolur si kandidatë për t’iu paraqitur parlamentit, ata vënë në dukje se Jozefina Topalli është një aleate e deklaruar e kryeministrit Berisha, ndërsa përmendet si kandidaturë potenciale edhe ish –kryeministri Fatos Nano.
5 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)