Liria e shtypit
Në raportin e tij, Departamenti Amerikan i Shtetit, përveç problemeve të korrupsionit e të përqendrimit të pushteteve ka raportuar edhe për problemet në lirinë e medias në Shqipëri. Në raport theksohet se ka raportime që qeveria ka influencuar dhe ka bërë presion ndaj medias. Në dokument theksohet se mediat pranë qeverisë janë të favorizuara nga reklamat shtetërore apo në lehtësim fiskal. Raporti thekson se ka pasur raste të dhunës ndaj gazetarëve dhe përmendet rasti ku badigardët e një fabrike çimentoje sulmuan gazetarin e gazetës “Shqip”, Bledi Gilaj, gazetarin e “Mapos”, Dashamir Biçaku dhe gazetarin Thimi Samarxhi. Incidenti ndodhi pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Gjithashtu, në raportin e Departamentit të Shtetit theksohet edhe rasti i presionit të shtetit ndaj televizionit “Top Channel”, ku përmendet gjoba në lidhje me çështjen “Pango”.