Korrupsioni, ambasadori i OSBE takon kreun e ILDKPKI-së
Dënime konkrete për zyrtarët e akuzuar për korrupsion, pavarësisht lidhjeve politike, ka kërkuar kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Florian Raunig, në një takim me Inspektorin e Përgjithshëm, Shkëlqim Ganaj, në kuadër të luftës ndaj korrupsionit. “Rritja e numrit dhe e nivelit të zyrtarëve që do të kontrollohen plotësisht, numri i rasteve të denoncuara deri më tani në Prokurorinë e Përgjithshme, si edhe gjobat, tregojnë se ILDKPKI-ja po luan një rol më aktiv në përpjekjet kundër korrupsionit”, tha Raunig. Duke vlerësuar punën e ILDKPKI-së, kreu i OSBE-së theksoi se këto përpjekje duhet të mbështeten nga të gjitha organet, si dhe duke arritur rezultate konkrete për dënime të çdokujt, pavarësisht lidhjeve politike që mund të kenë. “Këto përpjekje duhet të mbështeten më tej nga e tërë korniza antikorrupsion, përfshirë qeverinë, Kuvendin dhe Prokurorinë e Përgjithshme. Ndërkohë, duhet të bëhen përpjekje, duke arritur rezultate konkrete në dënimin e zyrtarëve publikë të dyshuar për korrupsion, pavarësisht nivelit dhe lidhjeve të tyre politike”, tha ai. Nga ana e tij, kreu i ILKDKPI-së bëri të ditur se në shtatë muajt e fundit, ILDKPKI-ja ka bërë 55 kallëzime penale dhe ka gjobitur 240 zyrtarë. Kjo shifër, sipas tij, është më e lartë se numri i denoncimeve dhe gjobave të vendosura nga ky institucion në dhjetë vjet.