Meta: Edhe Mugabe hapi dialog me opozitën
Shikojmë figura të urryera të kombit që po ulën për të zgjedhur president. Ata që shanë dhe burgosën njëri-tjetrin tani hanë ngjalën e njëri-tjetrit dhe pinë kafe, sepse nuk kanë integritet”
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka mprehur gjuhën dje kundër qëndrimit të Kryeministrit Sali Berisha për të mos bërë negociata për president me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama. Gjatë mbajtjes së Konferencës Zgjedhore të Lëvizjes së Gruas për Integrim, Meta, ka lënë të kuptohet se partia në pushtet diskutonte dhe me një diktator si Mugaben në një vend mjaft problematik siç është Zimbabve. “Në Vjenë takova një figurë të njohur për mua, Morgan Zvangerai, i cili është Kryeministri i Zimbabvesë. Ai ka qenë për vite të tëra udhëheqës i Lëvizjes për Ndryshim, forcës kryesore opozitare në një nga regjimet më çnjerëzore të Afrikës dhe të gjithë botës. Por Zvangerai ulet me Mugaben i cili ende vazhdon të jetë Presidenti i Zimbabvesë, jo sepse ka harruar të kaluarën, jo se ka harruar të vrarët, jo se ka harruar manipulimin e zgjedhjeve, por se ai e di shumë mirë se, në rast se nuk do të ulen, nuk do të bisedojnë, nuk do të bashkëpunojnë, akoma me shumë njerëz do të vriten në Zimbabve”, përfundoi Meta tregimin e historisë së një planeti të largët në mënyrë të përshtatur për Shqipërinë.
Swoboda: Shqipëria ka humbur për dy vite radhazi statusin e vendit kandidat për në BE, si pasojë e krizës politike në vend. Këtë vit kushtet për marrjen e statusit janë bërë edhe më të forta.
Përfaqësuesit e komunitetit europian janë të bindur në qëndrimin e tyre, se zgjedhja e një presidenti konsensual, i cili do të jetë i pranuar nga të gjitha palët, do të jetë një gur themeli në lidhje me vlerësimin e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Ky qëndrim u konfirmua dje nga ana e kryetarit të grupit parlamentar socialist në Parlamentin Europian, Hans Swoboda. Sipas tij, Shqipërinë Bashkimi Europian po e pret pa asnjë mëdyshje dhe ajo duhet të bëjë vetëm detyrat, që në këtë rast janë reformat dhe zgjedhja e një presidenti konsensual.
“Shqipërinë e presim krahëhapur, por duhet të ndihmojë duke bërë detyrat. Reforma zgjedhore dhe presidenti konsensual janë kyç për statusin”, është shprehur Swoboda. Vëmendja e faktorit ndërkombëtar është rritur në mënyrë të ndjeshme ndaj Shqipërisë, për shkak të faktit se dy reformat kyçe për integrim, ajo parlamentare dhe ajo zgjedhore, nuk janë kryer dhe po kështu presidenti ka pak shanse të jetë konsensual.
Të përndjekurit
Një pjesë e rëndësishme e të përndjekurve politikë kanë humbur besimin se PD-ja, e cila është forca më e madhe në vend dhe në pushtet, do t’i mbështesë në problemet e tyre.
Ish të përndjekurit politikë, të drejtuar nga Gjergj Ndreca dhe të grupuar në partinë më të re “Vetvetja politike”, kërkojnë që kreu i ri i shtetit të mos dalë nga vende që ngjajnë me “fole minjsh”. Në një prononcim për gazetën “Shqip”, Ndreca theksoi se kjo do të thotë që njerëzit që i kanë shërbyer të keqes në vend nuk duhet të riciklohen dhe të zënë vendin më të lartë në hierarkinë e shtetit. “Presidenti nuk duhet të dalë nga një fole minjsh që i ka shërbyer të keqes për 22 vjet, në mënyrë të përulur”, theksoi ish i përndjekuri politik. Ai u shpreh kundër dhe një kandidature të mundshme të Jozefina Topallit për presidente, duke e quajtur atë të padenjë për këtë post. Pak ditë më parë, ish të dënuarit politikë të burgut famëkeq të Spaçit, si dhe të afërmit e atyre që humbën jetën në këtë burg, kanë përkujtuar përvjetorin e revoltës së famshme. Qindra të burgosur në këtë kamp pune dhe burg u përleshën me policët e rojat dhe ngritën në kamp flamurin kuqezi pa yllin komunist.