Braçe: Familja Berisha, ministrat dhe deputetët e PD-së, çfarë mashtrimi


Pas publikimit të bërë nga mediat të pasurive të deputetëve të mazhorancës dhe të ministrave kanë ardhur dhe reagimet e para të opozitës. Deputeti i PS-së, Erion Braçe, ka shprehur habinë për pasuritë e deklaruara, veçanërisht të familjes kryeministrore.


“Familjes Berisha” i paskan rënë të ardhurat!! Me gjithë mend e keni?! Po kush e beson këtë? Dua të pyes: Ku punon Argita? Vetëm me qiratë paguan jetën e luksit? Meqë jemi në lëmin e babait Sali, a paguan taksa mbi të ardhurat nga qiratë kjo Zonja?; Po Shkëlzeni ku punon? Ka zyrë ky? Apo konsulencat i bën në shtëpi mbi kalë Arabie? Po taksa sa paguan ky agai i vogël i beut të fshatit të madh Shqipëri? Po si ka mundësi qenka dhe i pastrehë e jetuaka përmes një kontrate qiraje?; Po zonja Liri ku punon? Është në pension më thoni?! Po mirë, po fondacioni a ka bilanc hyrje parash e dalje të tyre? Sa para ka administruar? E pres një përgjigje për secilin ankand në secilën ballo luksi, një me një;


Po Jamarbri, dhëndri i Beut ku punon? Ka të ardhura ky? Mua më figuron pronar tokash dhe pastaj sipërmarrës në to. Tamam-tamam pjesëmarrës në pallatet e ndërtuara mbi to. Pjesë që vlen miliona!! Njëherësh e shoh në tavolinat shumëmilionëshe të bashkisë, ndërmarrjes së Lulëzimit, çunit të gjetur të Beut Sali. Hë, ka deklaruar gjë ky apo jo?”, shkruan Braçe në “Facebook”. Më tej nënkryetari i grupit të PS-së, thekon se “po Miranda Rama, gruaja e vëllait të gruas të Beut Sali, ka deklaruar pasuri? Pronat e kunatit janë pallatet me qiratë e shtrenjta, por të garantuara edhe nga të huajt! Po taksa ka paguar ky kunati i biznesit?; Po Elvana Hana, “mbesa” e gjetur e gruas së Beut Sali, ka deklaruar pasuri? Nga pjesët në biznes e nga dividendi, i cili për shkak të fitimit të rritur në biznes, patjetër duhet të jetë më i madh?! Po taksa për këto të ardhura ka paguar kjo “mbesa”? Hetoni! Boll na thatë që këta i ka zënë kriza! S’ka krizë që i kap këta. Kanë aq shumë sa s’ju bën gjë as kriza greke, as italiane, as spanjolle, as portugeze, as sllovene! Këta kanë imunitet prej krizave! Është garancia që jep pasuria e qarkulluar jashtë kanaleve legale!”. Braçe më tej ka bërë komente dhe në lidhje me deklaratën e pasurisë së kreut të grupit të PD-së, Astrit Patozi. “Tani po shihja se kryetari i mazhorancës parlamentare, Astrit Patozi, ka blerë një makinë të tipit BENZ vetëm për 3 milionë lekë!! Unë e kam parë “Benz”-in e Patozit, hyn e del në Kuvend! Është i tipit të fundit dhe çmimi i tij nis me 65 mijë euro e përfundon në varësi të opsioneve me 170 mijë euro!! Ku shitet kjo makinë me 30 milionë lekë të vjetra?! Gjejeni!! Së dyti, gazetat sot ishin marrë me deklarimet e biznesmenëve që janë deputetë në Kuvend. Kush i fshehu biznesmenët e PD-së? Ku është pasuria e Gjok Uldedajt, Kreshnik Çipit, Ndriçim Babasit, Viktor Gumit (studio legale), Dashamir Tahirit, Bedri Hoxhës, deputetit të Librazhdit që një zot ja di emrin? Po deklarimi i Albana Vokshit, ku është? Janë miliona euro në qarkullim, por ende nuk është publik i zoti!! Bëhuni publikë, duhet të jini krenarë për paratë e pronat tuaja!!”, shkruan Braçe.