
Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë Ujit dhe Mjedisit ka sqaruar arsyet se tenderit që po zhvillohet për “Kontrollin dhe transmetimin e të dhënave të sistemit sizmografik nga stacionet sizmike të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit”. Reagimi i IGJEUM vjen pas publikimit të artikullit, “Tenderi që nxjerr zbuluar IGJEUM, matja e tërmeteve nuk kryhet në kohë reale”.
“Po, është e vërtetë se IGJEUM ka kërkuar realizimin e shërbimit të kontrollit në distancë dhe transferimit në kohë reale të të dhënave që regjistrohen prej pajisjeve digjitale që ai disponon ose do të instalojë së shpejti në shtatë stacione (Sarandë, Pukë, Leskovik, Bajram Curri, Kull (Manzë), Kryevidh (Kavajë) dhe Apolloni). Por kjo nuk do të thotë se IGJEUM-i tani po fillon monitorimin në kohë reale të aktivitetit sizmik”, thuhet në reagimin e Rexhep Koçit, përgjegjës i Dep. Sizmologjisë IGJEUM, Tiranë.
Më tej theksohet se “së pari me këtë prokurim ne synojmë të zëvendësojmë transmetimin satelitor me atë të rrjeteve vendore mobile (radio-link), pasi përparimi i teknologjisë së komunikimeve elektronike në Shqipëri tashmë e mundëson këtë gjë. Kjo do të ulte ndjeshëm koston e këtij shërbimi”.
Më poshte po publikojmë reagimin e plotë
Me datë 30 Maj 2020, në gazetën SHQIP është botuar artikulli “Tenderi që nxjerr zbuluar IGJEUM, matja e tërmeteve nuk kryhet në kohë reale”. Lidhur me sa shkruhet në këtë artikull, për dijeni të redaksisë dhe respekt ndaj lexuesve të kësaj gazete sqarojmë sa më poshtë.
Pohimi se IGJEUM-it iu deshën plot dy muaj për të gjetur sa ballë ishin dy tërmetet e fuqishme që prekën Shqipërinë në vitin 2019, është krejtësisht i pavërtetë. Është fare e thjeshtë të verifikohet se disa minuta pas këtyre tërmeteve IGJEUM-i ka raportuar saktë vendndodhjen dhe magnitudën e tyre. Ky vlerësim nuk ka ndryshuar deri më sot, dhe është konfirmuar plotësisht nga agjencitë e specializuara ndërkombëtare.
Hetimet e prokurorisë nuk kanë të bëjnë aspak me punën e IGJEUM-it por me procedurat e zbatimit të ligjit gjatë projektimit dhe ndërtimit të objekteve ndërtimore në shqyrtim. IGJEUM-i ka ofruar informacionet e kërkuara nga prokuroria sa herë i është kërkuar një gjë e tillë.
Lidhur me procedurën e prokurimit “Kontrolli dhe transmetimi i të dhënave të sistemit sizmografik nga stacionet sizmike të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit”, artikullshkruesi tjerr një teori sa të pavërtetë aq dhe absurde.
Po, është e vërtetë se IGJEUM ka kërkuar realizimin e shërbimit të kontrollit në distancë dhe transferimit në kohë reale të të dhënave që regjistrohen prej pajisjeve digjitale që ai disponon ose do të instalojë së shpejti në shtatë stacione (Sarandë, Pukë, Leskovik, Bajram Curri, Kull (Manzë), Kryevidh (Kavajë) dhe Apolloni). Por kjo nuk do të thotë se IGJEUM-i tani po fillon monitorimin në kohë reale të aktivitetit sizmik.
Departamenti i Sizmologjisë i IGJEUM-it monitoron aktivitetin sizmik në vend përmes tre rrjeteve digjitale monitorimi: rrjetin sizmografik të lëkundjeve të forta, rrjetin akselerometrik dhe rrjetin gjeodinamik (rrjeti i stacioneve të përhershme GNSS). Rrjeti i lëkundjeve të dobëta përbëhet nga tetë stacione bandgjerë me transmetim satelitor, të vazhdueshëm e në kohë reale, të instaluara gjatë periudhës 2002-2007.
Këto stacione janë investuar kryesisht nga buxheti i shtetit. Rrjeti akselerometrik përbëhet nga 17 stacione akselerometrikë digitalë dhe ka filluar funksionimin në vitin 2013. Ndërsa rrjeti gjeodinamike aktualisht përbëhet nga 11 stacione digjitale GNSS., dhe është ndërtuar gjatë periudhës 2003-2007 (6 stacione), dhe 2015-2020. Rrjeti akselerometrik dhe ai gjeodinamik janë ndërtuar me fonde të përftuara nga projekte ndërkombëtare ku IGJEUM-i ka marrë pjesë, ose si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me institucione partnere analoge (INGV, Romë; Chambery, Francë).
Të dhënat që përftohen nga rrjetet tona monitoruese publikohen çdo ditë në faqen zyrtare të IGJEUM-it (www.geo.edu.al). IGJEUM-i ka qenë gjithnjë i hapur ndaj të gjithave mediave në vend, dhe vizitohet shpesh prej tyre.
Tenderi është kërkuar për dy arsye fare të thjeshta. Së pari ne synojmë të zëvendësojmë transmetimin satelitor me atë të rrjeteve vendore mobile (radio-link), pasi përparimi i teknologjisë së komunikimeve elektronike në Shqipëri tashmë e mundëson këtë gjë. Kjo do të ulte ndjeshëm koston e këtij shërbimi. Së dyti, nga fonde të Universitetit Politeknik, dhe ndihma të Institucioneve partnere me rastin e tërmeteve të vitit të shkuar, na kanë ardhur disa pajisje të reja të cilat pritet të instalohen së shpejti, duke e zgjeruar kështu rrjetin e stacioneve tona monitoruese. Dhe për dijeninë Tuaj, firma që do të shpallet fituese dot të realizojë vetëm lidhjen e vazhdueshme e në kohë reale të stacioneve tona periferike me Qendrën e Monitorimit Sizmologjik pranë IGJEUM-it, pra shërbimin e komunikimit elektronik. Monitorimin, përpunimin, analizën dhe publikimin e të dhënave e realizon Departamenti i Sizmologjisë i IGJEUM-it, si i vetmi institucion i specializuar në vend për këtë fushë. Kjo është e vërteta e thjeshtë e “tenderit që nxjerr zbuluar IGJEUM-in”
Me respekt, Rexhep Koçi/ Përgjegjës i Dep. Sizmologjisë, IGJEUM, Tiranë