I drejtohen Komisionit Zgjedhor. Mungon firma e socialistes Arta Dade
Fenomeni i kërkesave për hapjen e kutive të votimeve është rikthyer sërish në Partinë Socialiste, këtë herë jo për dyshimet ndaj kundërshtarëve politikë, por për dyshime brenda së majtës. Deputeti Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi nuk tërhiqen nga qëndrimi i tyre në lidhje me mungesën e transparencës në votimet për Referendumin, ku sipas tyre rezultati ka qenë i trukuar. Për të kërkuar transparencë, Blushi dhe Hafizi i kanë dërguar dje një letër Komisionit të Zgjedhjeve të Partisë Socialiste, ashtu siç rekomandoi edhe vetë kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, një javë më parë në mbledhjen me dyer të mbyllura. “Mbledhja e Asamblesë do të bëhet të shtunën. Sot, kam depozituar në Komisionin Zgjedhor të Partisë kërkesën për hapjen e kutive të referendumit. Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare në varësi të përgjigjes që do të kem, edhe të përgjigjes që nuk kam marrë nga Komisioni i Garancive Statutore për të gjithë ato shkelje që kemi pretenduar për referendumin, të gjitha këto do të jenë objekte diskutimi edhe në Asamblenë e ardhshme Kombëtare”, tha deputetja socialiste Hafizi në përfundim të mbledhjes me dyer të mbyllura.
Letra
Në objektin e letrës, ku bie në sy mungesa e një prej deputeteve që mbështeti fort idenë e zgjedhjeve në parti dhe respektimin e statutit, siç është Arta Dade kërkohet pikërisht një kopje e listës së zgjedhësve të përgatitur nga KZP si dhe kopjet e listave të pjesëmarrësve në procesin e votimit për çdo vendvotimi të ngritur, me nënshkrimin e secilit përbri, në referendumin e datës 09 prill. “Të na vihen në dispozicion kopjet e procesverbaleve të hartuara nga çdo Komision i Vendvotimit dhe i Numërimit të Votave për nxjerrjen e rezultatit për çdo vendvotimi të ngritur në referendumin e datës 09.04.2016. Të na vihet në dispozicion një kopje e tabelës së rezultateve të hartuara nga KZP dhe e procesverbalit të KZP për shpalljen e rezultatit të referendumit mbajtur më datë 09.04.2016”, thuhet në letrën e Blushit dhe Hafizit. Dy deputetët e majtë vijojnë në letrën e tyre me argumentet pse referendumi ishte në shkelje të statutit. “Ky referendum, në kundërshtim nga sa parashikon Statuti i PS dhe neni 2 i Kodit të Zgjedhjeve në PSSH, nuk u zhvillua duke respektuar parimet që lidhen me një proces zgjedhor të lirë dhe të drejtë, të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në Statutin e PSSH si dhe në aktet ndërkombëtare të njohura dhe të pranuara, dhe se zgjedhjet për të nuk u bazuan në konkurrencën e lirë, të barabartë, të ndershme e transparente, ndërmjet alternativave konkurruese, sepse caktimi i datës së zhvillimit të këtij referendumi u bë nga Kongresi i PS, në tejkalim të parashikimeve statutore të sipërcituara të nenit 45 të Statutit të PS, dhe nenit 72 të Projekt Statutit të PS, si dhe në kundërshtim, me nenin 55, pika 5 të Kodit të Zgjedhjeve në PSSH,i cili parashikon se data e zhvillimit të referendumit caktohet nga Kryetari i PSSH dhe shpallet prej tij jo më vonë se 10 ditë pas marrjes së vendimit për zhvillimin e tij. Zhvillimi i këtij referendumi u mbaj në kundërshtim me nenin 56 të Kodit të Zgjedhjeve në PSSH”, thuhet në letrën e dy deputetëve. Në argumentet e tjera, Blushi dhe Hafizi kanë paraqitur edhe raste konkrete, ku janë shkelur rregullat. “Organet vendore të administrimit zgjedhor, KZP e Bashkisë, KZP e Njësisë Administrative dhe Komisioni i Vendvotimit dhe i Numërimit të Votave, nuk u ngritën dhe nuk funksionuan sipas afateve dhe përcaktimeve të neneve 25-27 të Kodit të Zgjedhjeve në PSSH. Në Bashkinë e Shkodrës, vetëm një ditë para votimit u ndryshuan në mënyrë arbitrare dhe pa asnjë shkak tre anëtarë të KZPB. Lista e zgjedhësve nuk u afishua në vendvotimin përkatës 15 ditë para ditës së zgjedhjeve dhe nuk u shpall në vendvotimet përkatëse jo më vonë se 7 ditë para ditës së zgjedhjeve, siç parashikon neni 28, pika 4 dhe 8 i Kodit të Zgjedhjeve në PSSH. Ka denoncime se në listat zgjedhore janë shtuar me dorë emra të shumtë votuesish të panjohur dhe të paregjistruar në Regjistrin Themelor të Anëtarëve të Partisë. Një ditë para referendumit, përfaqësuesit e alternativës referendare kanë ndjekur gjithkund Komisionin Zgjedhor të Partisë Bashkia e Shkodrës, për t’i kërkuar akreditimin e vëzhguesve në 11 qendrat e votimit në këtë bashki. Komisioni është fshehur, është ndërruar në momentin e fundit, nuk është përgjigjur, duke mohuar të drejtën e vëzhgimit të procesit”, shkruhet në letër.
Pikat me kërkesa
-Të na jepet një kopje e listës së zgjedhësve të përgatitur nga KZP, mbi bazën e së cilës u zhvillua referendumi i datës 09.04.2016.
– Të na vihen në dispozicion kopjet e listave të pjesëmarrësve në procesin e votimit për çdo vendvotimi të ngritur, me nënshkrimin e secilit përbri, në referendumin e datës 09.04.2016.
-Të na vihen në dispozicion kopjet e procesverbaleve të hartuara nga çdo Komision i Vendvotimit dhe i Numërimit të Votave për nxjerrjen e rezultatit për çdo vendvotimi të ngritur në referendumin e datës 09.04.2016.
-Të na vihet në dispozicion një kopje e tabelës së rezultateve të hartuara nga KZP dhe e procesverbalit të KZP për shpalljen e rezultatit të referendumit mbajtur më datë 09.04.2016.