
Kryetari i KQZ Arben Ristani, duke folur gjate nje mbledhje te ketij komisioni, ku eshte miratuar referndumi kunder importit te mbetjeve.
Sipas Kodit të ri Zgjedhor, komisioni duhet të riformatohet në datën 16 shtator
Ylli Pata – Mazhoranca nuk do ta ketë të lehtë miratimin e referendumit tashmë të shpallur si vullnet politik për çështjen e imunitetit. Kjo, pasi edhe nëse ka mazhorancën për ta miratuar në Kuvend dhe ndoshta dakordësinë e kryetarit të shtetit për të caktuar datën e referendumit nëse miratohet, gjithsesi vulosja e kësaj çështjeje i takon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Por nuk do të jetë Arben Ristani ai që do ta shpallë nëse do të mbahet apo jo referendumi për çështjen e heqjes së imunitetit, pasi në muajin shtator do të duhet të konfigurohet institucioni që merret me administrimin e zgjedhjeve dhe plebishiteve në Republikën e Shqipërisë. Burime në KQZ bënë të ditur se tashmë shtatëshja e këtij institucioni po shkon drejt përfundimit të mandatit dhe, sipas të gjitha gjasave, vendimin e përballjes më të re elektorale në vend do ta marrin anëtarët e rinj që do të zgjidhen sipas formulës së re të përcaktuar në Kodin e ndryshuar Zgjedhor, i cili u miratua me konsensus në Kuvend. Sipas Kodit të ri, më 16 shtator Parlamenti do të duhet të miratojë 6 anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe nis procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri të këtij institucioni. Në nenin 181 të Kodit Zgjedhor, theksohet: 1. Kuvendi, 30 ditë nga data e shpalljes së këtij ligji, zgjedh anëtarët e KQZ-së, sipas neneve 14 dhe 15 të këtij Kodi. 2. Publikimi i vakancës për Kryetarin e KQZ-së bëhet menjëherë pas shpalljes së këtij ligji. 3. Betimi kryhet jo më vonë se 24 orë nga dita e zgjedhjes së Kryetarit të KQZ-së.” Ndërkaq, në nenin 182 të Kodit, theksohet më tej se
anëtarët e KQZ-së, të cilëve u ndërpritet mandati para kohe, për shkak të ndryshimeve në këtë Kod, qëndrojnë në detyrë deri në zëvendësimin e tyre me anëtarët e rinj të zgjedhur sipas këtij
Kodi. Në nenin 183 theksohet se, “Me qëllim përtëritjen pjesore të KQZ-së, dy nga anëtarët e zgjedhur, sipas pikës 1 të nenit
14 dhe nenit 181 të këtij Kodi, e ushtrojnë mandatin e parë për 3 vjet me të drejtë rizgjedhjeje. Një anëtar, të cilit i ndërpritet mandati para kohe, përcaktohet me short mes tre anëtarëve të propozuar nga shumica parlamentare dhe anëtari tjetër, mes tre anëtarëve të propozuar nga opozita parlamentare, sipas pikës 1 të nenit 14 të këtij Kodi. KQZ-ja zhvillon hedhjen e shortit në seancë publike jo më vonë se 10 ditë nga mbledhja e parë”. Sipas Kodit të ri, anëtari i KQZ-së ka mandat 6-vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje, ndërsa kryetari i KQZ-së ka mandat 4-vjeçar. Ndërkaq, nëse anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duhet të zgjidhen më 16 shtator, 10 ditë më pas, pra më 26 shtator, neni 15 i Kodit Zgjedhor i ndryshuar, është i qartë në këtë pikë, ku theksohet: “1. Anëtari i shtatë dhe njëkohësisht kryetar i KQZ-së, zgjidhet jo më vonë se 10 ditë pasi të ketë përfunduar procedura e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së, sipas nenit 14 të këtij Kodi. 2. Jo më vonë se 30 ditë para datës së mbarimit të mandatit të kryetarit të KQZ-së, Kuvendi Shqipërisë publikon shpalljen për vendin vakant të kryetarit të KQZ-së”. Pra menjëherë sa të zgjidhen anëtarët e rinj, më 16 shtator do të paraqitet vakanca e kryetarit dhe gjatë 10 ditëve duhet të zhvillohet paraqitja e kandidaturave, diskutimi në Komisionin e Ligjeve dhe miratimi në Kuvend. Kryetari i ri i KQZ-së duhet të miratohet me dy të tretat e votave në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, ndërsa do të duhet të miratohet me shumicë të thjeshtë në seancë plenare.
Vendimi
Mbajtja e referendumit duhet të vendoset nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me shumicë të thjeshtë, por akti normativ miratohet me 5 vota
“Neni 181 Zgjedhja e anëtarëve të KQZ-së
1. Kuvendi, 30 ditë nga data e shpalljes së këtij ligji, zgjedh anëtarët e KQZ-së, sipas neneve 14 dhe 15 të këtij Kodi.
2. Publikimi i vakancës për kryetarin e KQZ-së bëhet menjëherë pas shpalljes së këtij ligji.
3. Betimi kryhet jo më vonë se 24 orë nga dita e zgjedhjes së kryetarit të KQZ-së.”
“Neni 15 Zgjedhja e kryetarit të KQZ-së
1. Anëtari i shtatë dhe njëkohësisht kryetar i KQZ-së zgjidhet jo më vonë se 10 ditë pasi të ketë përfunduar procedura e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së, sipas nenit 14 të këtij Kodi.
2. Jo më vonë se 30 ditë para datës së mbarimit të mandatit të kryetarit të KQZ-së, Kuvendi Shqipërisë publikon shpalljen për vendin vakant të kryetarit të KQZ-së.