Partia Demokratike ka publikuar sot pasdite qëndrimin zyrtar për draftin e reformës në drejtësi. PD me anë të një njoftimi zyrtar thekson do të japë nesër në Komisionin Parlamentar për Reformën në Drejtësi votën pro në parim, për draftin e ekspertëve ndërkombëtarë të OPDAT dhe EURALIUS.
“Nga analiza në tërësi e draftit të rishikuar nga ekspertët e EURALIUS dhe OPDAT, konstatojmë përmirësime të cilat synojnë përafrimin e tij me standardet ndërkombëtare, duke përmbushur në këtë mënyrë një kërkesë themelore të opozitës parlamentare”, thuhet në deklaratën e PD.
Demokratët e kanë vlerësuar draftin e eksperteve europian dhe atyre amerikanë, duke parë të plotësuara disa nga kërkesat e saj që imunizojnë sistemin nga kapja politike, por sërish vlerësojnë se ka akoma punë për të bërë.
“Në emër të anëtarëve të opozitës parlamentare, shprehim vlerësimin për përmirësimet e bëra nga ekspertët e EURALIUS dhe OPDAT, si dhe kërkesën për të nisur menjëherë diskutimin e thelluar që do të çojë drejt vendimmarrjes politike me qëllim konsensusin e plotë politik për draftin e Amendamenteve Kushtetuese, dhe nisjen e punës për paketën e ligjeve shoqëruese, në zbatim të detyrës që na është ngarkuar ne si komision. Në këtë drejtim, propozimi i kryetarit të komisionit të posaçëm në mbledhjen e fundit, se nga ana jonë duhet të ndiqet procedura e votimit të draftit ‘në parim’, njëlloj sic bëjnë Komisionet e Përhershme Parlamentare për projektligjet”, theksohet në deklaratë.
Megjithatë, në qëndrimin e saj, Partia Demokratike thotë se neni 25, i cili parashikon si subjekt të hetimit ndër të tjerë “ish-ministrat gjatë 3 viteve të fundit”, nuk është nuk është kërkuar asnjëherë nga ana e opozitës.
8 maj 2016 (gazeta-Shqip.com)