Xhafaj: Pimë kafe si miq, pasi nuk u takuam gjatë pushimeve


reforma ne drejtesi XhafajMinistri i Drejtësisë, Nasip Naço, dhe kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, zhvilluan dje një takim informal mes tyre në një nga lokalet e kryeqytetit. Naço dhe Xhafaj janë fotografuar nga mediat, të cilat raportuan dje se në fokusin e këtij takimi ishte reforma në drejtësi dhe arritja e një qasjeje të përbashkët mes PS-së dhe LSI-së për këtë reformë, diskutimet e së cilës u çelën dy ditë më parë me tryezën që u organizua lidhur me drejtësinë për të miturit. Sipas këtyre raportimeve, se me nisjen e sesionit të ri parlamentar dy aleatët qeverisës do të duhet që këto divergjenca t’i ballafaqojnë publikisht në Komisionin e Reformës ose në Kuvend. Dhe për të mos shkuar të përçarë për një prej reformave më të mëdha në vend, nevoja e së cilës pranohet nga të gjitha palët, PS dhe LSI po negociojnë këto ditë në prapaskenë. I kontaktuar nga “Shqip” rreth kësaj çështjeje, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, hodhi poshtë të gjitha këto “teori mediatike”, duke e cilësuar takimin me ministrin Naço, si një takim mes dy miqsh, që zhvillohet pas pushimeve të verës. “Kam qeshur me Nasipin sot (dje) nga ora 10 deri në 11, për shtatë palë qejfi, se nuk ishim takuar që pas pushimeve. Kemi pirë një kafe, thjesht bisedë e lirë, më shumë se nuk ishim takuar gjatë pushimeve, pasi kemi pasur vetëm biseda telefonike. Dhe sot më mori ai në telefon dhe më tha hajde të pimë një kafe. Po nuk e kuptoj se si mund të thuash nga këto gjëra vetëm për faktin se ne kemi pirë kafe. Madje këtu që jemi në foto në ambientet jashtë, më mbajti ai (Nasipi) duke më treguar një histori, që u shkriva së qeshuri”, u shpreh Xhafaj.