
Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore do të mblidhet në orën 19:00. Takimi i sotëm u shty nga anëtarët e tij, ndërkohë që sot është afati i fundit për të cilin palët janë angazhuar ta përmbyllin atë.
Këshilli Politik diskutoi pasditen e djeshme për 4 orë me radhë çështjet e mbetura pezull.
Opozita nuk mori konsensusin e shumicës për të futur identifikimin biometrik të zgjedhësve në të gjitha qendrat e votimit.
Dakordësi nuk kanë gjetur as për administrimin zgjedhor.
Deri më tani PD-PS kanë rënë dakord për çështjen e rifinancimit të partive, kuotave gjinore, dhe periudhës se kur do të zhvillohen zgjedhjet.